Nga barazimi me Spanjën te kampionati vendas/ Historia unike e futbollit në Kepin e Gjelbër
Barazimi historik i Kepit të Gjelbër ndaj Spanjës në Kupën e Botës ka rikthyer vëmendjen te futbolli i këtij shteti ishullor, duke zgjuar kureshtjen e tifozëve për mënyrën se si funksionon kampionati vendas. Shumëkush mund të kujtojë një moment viral nga finalja e Kampionatit Kombëtar të vitit 2022 mes Akademika do Mindelo dhe Palmeira do Sal, kur topi i ndeshjes u soll në fushë nga një djalosh i hipur mbi një gomar.

Pamjet bënë xhiron e rrjeteve sociale dhe u kthyen në një simbol të kulturës së veçantë futbollistike të Kepit të Gjelbër. Megjithatë, kjo nuk është arsyeja e vetme pse futbolli në këtë vend konsiderohet unik.
Një kampionat i ndërtuar sipas gjeografi së së vendit
Sistemi futbollistik i Kepit të Gjelbër është i lidhur ngushtë me karakteristikat gjeografi ke të vendit. Shteti përbëhet nga nëntë ishuj të banuar dhe secili prej tyre organizon kampionatin e vet rajonal me një numër relativisht të vogël skuadrash. Në ishujt më të mëdhenj, si Santiago dhe Sao Vicente, zhvillohen madje edhe disa gara paralele për shkak të numrit më të madh të klubeve.
Fituesit e kampionateve rajonale, së bashku me kampionin në fuqi, sigurojnë pjesëmarrjen në fazën finale kombëtare, ku garojnë gjithsej 12 skuadra për titullin.
Udhëtimet mes ishujve, sfida më e madhe
Ky format është krijuar kryesisht për arsye ekonomike dhe logjistike. Udhëtimet mes ishujve janë të kushtueshme dhe shpesh të vështira për t’u organizuar, ndaj federata përpiqet t’i zhvillojë ndeshjet në blloqe të caktuara dhe në një ishull të vetëm për të ulur shpenzimet. Si rezultat, sezoni ndahet në dy faza të dallueshme, garat lokale nëpër ishuj dhe faza kombëtare, e cila zakonisht zgjat rreth tre muaj.
Kampionët dhe lidhja me kombëtaren
Palmeira, skuadra që humbi finalen e famshme të vitit 2022, u shpall kampione e Kepit të Gjelbër në vitin 2025, duke shtuar një tjetër trofe në historinë e saj. Megjithatë, futbolli vendas nuk e furnizon aktualisht drejtpërdrejt përfaqësuesen kombëtare. Në ekipin që po shkëlqen në arenën ndërkombëtare nuk ka futbollistë që aktivizohen në kampionatin vendas, ndërsa vetëm një numër i vogël lojtarësh e kanë nisur karrierën në ligat lokale të ishujve.
Pikërisht për këtë arsye veteranë si portieri 40-vjeçar Vozinja dhe mbrojtësi 38-vjeçar Stopira vazhdojnë të kenë një rol të rëndësishëm. Të dy janë produkte të futbollit të Kepit të Gjelbër dhe përfaqësojnë lidhjen mes kampionatit vendas dhe suksesit të kombëtares në skenën ndërkombëtare.
PANORAMASPORT.AL













