Tirana përfiton nga ndryshimi i FSHF-së, projektohet me tetë të huaj në formacion
Tirana projektohet me tetë të huaj në formacionin e ri, por bardheblutë në këtë moment kanë dy ekipe që mund të hedhin në fushën e lojës. Merkatoja ka sjellë në skuadër gjashtë lojtarë, duke nisur nga porta deri në sulm.

Nga janari e në vazhdim ekipi është bërë i gjithi në repartin e sulmit. Kanë ardhur Tabekou, Patsatsia, Tare, ndërsa Abah, Haxhiu, Gjumsi, Mihana duhet të luftojnë për një vend titullari. Mesfusha ka disa ndryshime të vogla, por garda e vjetër, me Metën, Solerin dhe Rafaelin, qëndron në këmbë. Marku, Tola dhe Vogli, pa harruar Duron, duan një shans nga trajneri Mile.
Në mbrojtje ka një ose dy dilema. Valerianos ose Ismajli, si dhe ku do të pozicionohet Lleshi. Porta do të jetë një luftë mes Tafasit dhe Kozit, ku secili e nis me shanset e tij. Shkurt, kjo Tiranë ka shumë emra të huaj. Me një formacion të dubluar, bardheblutë duan që të ndryshojnë për mirë.

PËRGATITJET – Stërvitja gjatë këtyre ditëve do të vazhdojë me dy seanca në ditë, ndërsa në vazhdim pritet të ketë edhe një miqësore. Më saktë, bardheblutë kanë planifikuar një përballje ditën e shtunë kundër Lirisë së Prizrenit. Takimi do të luhet në stadiumin “Selman Stërmasi”, në orën 18:00
FAZA – Tashmë është zyrtare që Tirana do të qëndrojë në kryeqytet deri në datën 28 korrik. Në fund të korrikut, ekipi do të spostohet diku tjetër për të bërë fazën përgatitore. Më saktë, në Greqi. Skuadra do të grumbullohet afër Selanikut në një kamp stërvitor. Bardheblutë do të jenë së bashku me Elbasanin dhe skuadra të tjera shqiptare. Kujtojmë që pika e dobët e kësaj skuadre është prapavija.
Tirana e këtij sezoni që lamë pas, ka një nga mbrojtjet më të këqija të historisë së bardhebluve për golat e pësuar. Skuadra që drejtohej nga Bledi Shkëmbi në kampionatin e shkuar, gjatë 37 javëve, pësoi 44 gola, duke shënuar një rekord negativ. Konsiderohet ekipi i dytë më i keq i historisë për golat e pësuar në kampionatet me 37 javë. Rekordin e mban skuadra e parvjetshme, me 49 gola të pësuar në 36 javë.
OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL













