Tirana përballë Vorës, plan B për dyshimet në sulm. Shehi mendon fazën ofensive pa Tabekun dhe Xhixhën
Në prag të sfidës së radhës në Kategorinë Superiore, Tirana po përgatitet me planin B, duke marrë parasysh dyshimet për dy lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës. Redon Xhixha, i cili ka një problem të vogël me kaviljen, pritet të jetë gati për të luajtur. Ai po vraponte dje në seancën stërvitore dhe, në rast nevoje, mund të sakrifikohet edhe me gjilpëra për të dhënë kontributin e tij.
Kjo sakrificë tregon edhe përkushtimin e lojtarit ndaj ekipit dhe rëndësinë që ka për trajnerin Orges Shehi. Ndërkohë, Serzh Tabeku mbetet ende një pikëpyetje. Belgu nuk ka nisur ende stërvitjen me ekipin dhe vendimi për aktivizimin e tij do të merret vetëm pak para ndeshjes, në bazë të gjendjes së tij fizike dhe aftësisë për të dhënë maksimumin në fushë. Ky fakt e ka detyruar trajnerin Shehi të mendojë variante alternative për të mbajtur ekuilibrin në mesfushë dhe repartin sulmues.
Në skemën e mundshme të ndeshjes, Xhixha mund të startojë nga minuta e parë, ndërsa Mehmeti do të jetë pjesë e sulmit. Kjo i lë hapësirë trajnerit Shehi për të vendosur ose se cili nga Haxhiu, Falaje dhe Tare do të aktivizohet, duke ruajtur ekuilibrin mes ofensivës dhe mbrojtjes. Ky fleksibilitet taktik është pjesë e strategjisë për të mos rrezikuar, por edhe për të shfrytëzuar sa më mirë çdo mundësi në fushë. Plani B i Tiranës nuk është thjesht një lëvizje emergjente, por një mënyrë për të siguruar vazhdimësinë e ritmit të lojës dhe për të arritur objektivin kryesor. Tre pikët ndaj Vorës. Pas një serie ndeshjesh ku bardheblutë patën vështirësi në rezultate, kjo sfidë është një mundësi e artë për ekipin që të ngjitet në renditje dhe të rifitojë besimin.
Trajneri Shehi ka kërkuar gjithashtu përqendrim maksimal nga e gjithë skuadra, duke theksuar rëndësinë e lojës dhe nevojën për t’i dhënë fund çdo mosbalancimi që mund të lindë në fushë. Me Xhixhën dhe Tabekun si dyshe kryesore, tifozët presin që Tirana të tregojë seriozitet dhe aftësi për të menaxhuar situatat e ndryshme të lojës. Nëse gjithçka shkon sipas planit, Tirana do të paraqitet e kompletuar dhe e motivuar, duke synuar një fitore që do të jetë edhe një sinjal i fortë për kundërshtarët dhe për vetë skuadrën, duke treguar se bardheblutë janë gati të luftojnë për çdo pikë në këtë fazë të rëndësishme të sezonit.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













