Tirana, një “kombëtare e huaj” në Superiore! Autoktoni i vetëm mbetet presidenti i klubit Refik Halili
Tirana e këtij sezoni është kthyer në skuadrën më ndërkombëtare të futbollit shqiptar. Klubi më i titulluar i vendit ka zgjedhur një politikë të qartë. Të ndërtohet një ekip me elementë të huaj, duke nisur nga stoli dhe duke përfunduar te fusha.
Në një kohë kur shumica e rivalëve përpiqen të gjejnë balancë mes lojtarëve vendas dhe të huaj, bardheblutë kanë bërë një kthesë radikale. Në krye të pankinës është emëruar italiani Roberto Bordin, një trajner me eksperiencë të gjatë në futbollin europian, i cili ka marrë përsipër misionin për të rikthyer Tiranën te trofetë. Përkrah tij ndodhet krahu i djathtë, po ashtu italian, Veroneze, që e kompleton një staf teknik krejtësisht të huaj.
Ky “tandem” nga Italia solli me vete një filozofi të re pune, bazuar në disiplinë taktike dhe në eksperiencën e fituar në futbollin e organizuar perëndimor. Por jo vetëm stoli është i huaj. Në fushë, kapiteni dhe lideri i ekipit është francezi Mahamadu Dembele, një mbrojtës qendror i fuqishëm, i lindur më 1999, me vlerë tregu 300 mijë euro. Dembele është zgjedhur si pikë referimi për grupin dhe shembull për lojtarët e tjerë, duke treguar qartë se Tirana jo vetëm ka huaj, por edhe u beson atyre rolet më të rëndësishme. Zëvendëskapiten është Ian Soler. Shqiptari i parë është Erando Karabeci.
NJË PËRBËRJE “PA KUFIJ” Sot Tirana numëron 12 lojtarë të huaj në përbërje. Ky është një rekord për futbollin shqiptar dhe e bën klubin kryeqytetas një rast të veçantë, që shpesh ngjan më shumë me një “kombëtare të huaj” sesa me një ekip tradicional shqiptar. Mbrojtja është e udhëhequr nga Dembele, përkrah të cilit janë greku Georgios Valerianos dhe argjentinasi Luçiano Vera. Një prapavijë e ndërtuar mbi eksperiencën e Europës dhe talentin e Amerikës Latine. Mesfusha sjell në lojë kulturën braziliane dhe spanjolle Rafael (25 vjeç) dhe Ian Soler (29 vjeç) mbajnë peshën e kontrollit të topit, ndërsa fantazia është e rezervuar për Eliton Zhunior (27 vjeç), i cili ka lidhje edhe me futbollin italian.
Sulmi është një mozaik kulturash. Kamerunasi Serge Tabeku (28 vjeç) është ylli më i shtrenjtë i ekipit, ndërsa spanjolli Víktor Fernandez (27 vjeç) ofron shpejtësi në krah. Në të djathtën spikatin gjeorgjiani Tsotne Patsatsia (25 vjeç, 275 mijë €) dhe i riu nigerian Abel Abah (22 vjeç, 150 mijë €). Për qendrën e sulmit konkurrojnë ganeziani Alfred Mensah dhe kanadezi me origjinë nigeriane Oluabori Falaje (26 vjeç). Zgjedhja për të pasur një skuadër tërësisht të huaj ka dy anë të medaljes. Nga njëra anë, presidenti Refik Halili(i vetmi autokton në skuadër) ka garantuar që Tirana të ketë një ekip me eksperiencë, me lojtarë që kanë kaluar në kampionate europiane dhe afrikane, duke e bërë ekipin më kompetitiv.
Nga ana tjetër, ky projekt ka hapur një debat të madh. A po humbet Tirana identitetin e saj shqiptar? Me një trajner italian, një staf të huaj, një kapiten francez dhe 12 lojtarë të ardhur nga kontinente të ndryshme, Tirana është kthyer në skuadrën më ndërkombëtare. Për disa tifozë, ky është modernizim dhe garanci për sukses, ndërsa për të tjerë është një rrezik që i heq hapësirën talenteve vendas. Një gjë megjithatë është e sigurt Tirana e këtij sezoni është klub që në fushë përfaqëson shumë më tepër se kryeqytetin. Një mozaik global nën ngjyrat bardheblu.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













