Tirana, në heshtje nis spastrimet në ekip. Harizaj e Prengaj, të parët që lënë 26 herë kampionët
Tirana ka filluar të zbrazet me lojtarët që kanë qenë në titullarë dhe jashtë projektit. Dy ditët e fundit, ata që kanë konfirmuar largimin janë Romeo Harizaj dhe Fatmir Prengaj.
Ky i fundit dje ka postuar një video përmes rrjeteve sociale, ku falënderon Tiranën për sezonin e kaluar. Prengaj kujton një nga ndeshjet ndaj Skënderbeut ku spikati me golat e tij. Sulmuesi ishte i huazuar nga Vora përgjatë edicionit të fundit. Kështu kthehet te kampionët e Kategorisë së Parë. Vora do të luajë në Superiore, kështu edhe përforcohet në sulm. Vetë Prengaj ndërkohë është në rikuperim nga një dëmtim i cili e la jashtë fushës së blertë në javët e fundit.
TË TJERËT – Lista e largimeve te Tirana është e gjatë. Tirana dhe Admir Bajroviçi duket se kanë ndarë rrugët. Ndonëse nuk ka një njoftim zyrtar nga palët, duket se në korrik kur nis grumbullimi gjërat do të jenë ndryshe. Me marrëveshje do të prishet kontrata mes klubit kryeqytetas dhe boshnjakosuedezit. Palët kanë diskutuar dhe nuk ka më kthim pas. Sulmuesi ka kërkuar të gjitha rrogat deri në maj dhe do të prishë marrëveshjen. Madje, ai edhe është përshëndetur si me stafin teknik, dhe punonjësit në “Skënder Halili” dhe është larguar nga kryeqyteti. Po kështu, për t’u parë është çështja e Leon Kozit, Abel Abah, Gledi Micit, Florjan Përgjonit, Gentian Selmanit. Të vetmit që shpëtojnë janë të huajt, të cilët kanë oferta nga jashtë. Dhe këtu janë Dembele, Zharmuni e ndonjë tjetër. Për t’u parë është se cilët nga lojtarët do të qëndrojnë në ekip për sezonin e ri futbollistik. Në këtë moment që flasim, bardheblutë nuk kanë asnjë repart të garantuar.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













