Tirana me laps në dorë, bardheblutë kanë 6 “finale” përpara

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 19, 2025 | 8:33

Tirana me laps në dorë, bardheblutë kanë 6 “finale” përpara

Tirana, skuadra historike e Kategorisë Superiore, po “luan me zjarrin”, pasi kur duhen edhe gjashtë javë nga mbyllja e kampionatit, është e teta në renditje me 31 pikë dhe vetëm një, larg nga zona e rënies direkte.tiranaBardheblutë tani kanë një situatë delikate, pasi në gjashtë takimet e mbetura, duhet të spostohen mbi vendin e tetë, që të mos jenë të rrezikuar edhe nga “playout”-i. Gjashtë janë ndeshjet që bardheblutë do të luajnë deri në fund të sezonit. Skuadra kryeqytetase ka përpara derbet me Partizanin dhe Dinamon, luan me Elbasanin, ndërsa tri sfidat e tjera janë me kundërshtarët direkt të fundtabelës, Bylisin, Skënderbeun dhe Teutën. Po si ka dalë Tirana në këto përballje direkte me skuadrat që do të luajë nga tani e në vazhdim…

BYLISI – Pas kombëtares, Tirana do të luajë menjëherë me Bylisin, në duelin direkt për mbijetesë. Tabloja e bardhebluve këtë sezon ndaj këtij kundërshtari është me ulje e ngritje. Në kampionat ka marrë shtatë pikë, duke fituar dy herë, barazuar një tjetër. Problemi qëndron tek eliminimi nga Kupa e Shqipërisë. Një ndeshje e hapur, por plusi është që takimi mund të luhet në “Arena Kombëtare”. Bardheblutë kanë marrë mesatarisht 2.3 pikë ndaj këtij kundërshtari dhe shanset janë të mëdha që të fitojnë edhe në këtë lojë të fundit.

ELBASANI DHE PARTIZANI – Ndaj dy skuadrave që janë në mesin e tabelës, Tirana ka pasur vështirësi për t’i mundur. Në të gjashtë takimet, me ekipet në fjalë, ka marrë vetëm nga një pikë për sfidë dhe këtë kampionat nuk e ka shijuar triumfin. Ka qenë shumë pranë gjithmonë për t’i mundur dy klubet, por asnjëherë nuk ia ka dalë. Në këtë fazë të katërt, të paktën, njërën prej tyre, duhet ta gjunjëzojë. Siklet është vetëm Elbasani, pasi i pret bardheblutë, ndërsa derbi mbetet i hapur.

SKËNDERBEU – Një tjetër skuadër që për kryeqytetasit është “hambar” pikësh. Më saktë, dy triumfe dhe një barazim për bardheblutë, që tani duhet të fitojnë edhe ndeshjen e tretë nga katër sfidat. Me një llogari, të thjeshtë, nëse ia dalin që të marrin këtë 3 pikësh, të paktën do të mbante poshtë (nëse renditja është kështu) një ekip.

TEUTA DHE DINAMO – Janë dy skuadrat më të forta dhe që kanë qenë tersi i klubit kryeqytetas. Ndaj secilës, vetëm nga një barazim dhe katër humbje. Si Teuta dhe Dinamo janë shumë të vështira për bardheblutë, ndërsa mesatarja e pikëve që mund të marrë me projeksionin duke u bazuar tek e kaluara është 7 pikë, që nuk dihet nëse në fund do t’u mjaftojnë bardhebluve për të qëndruar në Kategorinë Superiore.11 13

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL