Tirana mbyll fazën përgatitore, miqësorja me Kallamatën anulohet
Tirana ka përfunduar fazën përgatitore verore, ndërsa miqësorja e të premtes e planifikuar ndaj Kallamatës nuk u zhvillua.

Bardheblutë kanë lënë Greqinë dhe janë kthyer në kryeqytet, ku do të marrin dy ditë pushim para se të nisin të hënën përgatitjet për ndeshjen e parë të sezonit ndaj Bylisit. Nga klubi është konfirmuar se gjatë fundjavës dhe javës së ardhshme pritet të zyrtarizohen disa afrime të reja, të cilat do t’i japin më shumë alternativë grupit në dispozicion të trajnerit.
BILANCI I PËRGATITJEVE – Tirana ka zhvilluar gjashtë ndeshje miqësore, duke arritur një fitore, tre barazime dhe dy humbje. Mesatarja e golave për ndeshje është 1.8 të shënuar dhe 1.8 të pësuar, shifër që tregon se ekipi ende nuk ka gjetur ekuilibrin e duhur, sidomos në mbrojtje. Faza nisi më 19 korrik me disfatën 2-3 ndaj FC Lirisë në “Skënder Halili”. Ekipi i Klodian Duros shfrytëzoi dobësitë e prapavijës bardheblu, ndërsa Patsatsia dhe Tabaku ishin autorët e golave të Tiranës. Ndeshja u karakterizua nga shumë rotacione dhe mungesë stabiliteti në lojë.
Në testin e dytë, Tirana barazoi 1-1 në transfertë ndaj Ilirisë. Goli i Tolës nga distanca ishte momenti më i bukur i takimit, por vendasit barazuan pas pushimit, duke konfirmuar problemet e ekipit në mbylljen e ndeshjeve. Në Greqi, bardheblutë barazuan 2-2 me Panserraikosin pas një loje dinamike. Sulmi prodhoi raste, por mungesa e komunikimit dhe e qartësisë në mbrojtje u duk sërish, pavarësisht rotacioneve të shumta.
Më 3 gusht, Tirana u përball me Elbasanin në Greqi dhe kaloi në avantazh që në minutën e 3-të me Patsatsian. Por verdheblutë përmbysën gjithçka në pjesën e dytë, ndërsa Tabaku humbi penalltinë e barazimit, duke nënvizuar problemet në momentet vendimtare.
Fitorja 3-1 ndaj Eordaikosit ishte pika më e ndritshme e kësaj faze. Bastari, Doka dhe Haxhiu shënuan golat e suksesit, ndërsa mbrojtja u shfaq më e kujdesshme dhe faza ofensive më efikase.
PËRPARA NISJES SË SEZONIT – Pas kthimit në Tiranë, skuadra do të përqendrohet te përgatitjet për Bylisin. Afrimet e reja që pritet të zyrtarizohen në ditët në vijim do të jenë një ndihmesë e rëndësishme për trajnerin në ndërtimin e formacionit titullar. Edhe pse rezultatet në miqësore kanë qenë të alternuara, stafi teknik ka pasur mundësinë të testojë skema, të japë minuta për lojtarët e rinj dhe të vlerësojë gjendjen e grupit. Tani, sfida më e madhe është gjetja e ekuilibrit mes fazës mbrojtëse dhe asaj sulmuese, një element kyç për të hyrë me këmbë të mbarë në sezonin e ri.













