Tirana lë pas zhgënjimin në derbi, katër ndeshje për të larguar makthin e rënies dhe për të ëndërruar… Europën
Kalendari i javëve në vijim për Tiranën pritet të jetë vendimtar për fatin e sezonit. Bardheblutë do të përballen me një seri ndeshjesh të rëndësishme si në kampionat, ashtu edhe në Kupë, në një periudhë ku çdo pikë dhe çdo rezultat ka peshë të madhe.

Sfida e parë është në shtëpi ndaj Teutës. Një përballje që në letër duket e balancuar, por që për Tiranën ka rëndësi jetike pas luhatjeve të fundit. Bardheblutë duhet të rikthehen te fitorja për të mos humbur terren në renditje dhe për të rikthyer besimin në grup. Transfertë e vështirë në Shkodër. Vllaznia është gjithmonë një kundërshtar i fortë në shtëpi dhe kjo ndeshje pritet të jetë një test karakteri për ekipin e drejtuar nga Ardian Nuhiju.
Një rezultat pozitiv do të kishte ndikim të madh si në renditje, ashtu edhe në aspektin psikologjik. Një tjetër derbi i kryeqytetit, këtë herë në kuadër të Kupës. Pas përballjeve të fundit mes dy skuadrave, kjo sfidë merr akoma më shumë ngarkesë emocionale. Kupa mbetet një objektiv i rëndësishëm dhe Tirana do të synojë të përmbysë disavantazhin në këtë duel direkt. Pas Kupës, rikthim në kampionat me një tjetër ndeshje delikate ndaj Elbasanit.
Verdheblutë kanë treguar se janë një skuadër që di të hapë probleme dhe Tirana nuk mund të lejojë hapa falsë në këtë fazë të sezonit. Katër ndeshje në pak më shumë se dy javë, me përballje direkte ndaj rivalëve të fortë. Ky cikël mund të përcaktojë qartë objektivat e Tiranës. Nëse do të shpëtojë nga fundtabela, do të luftojë për zonën europiane.
PANORAMASPORT.AL













