Tirana, ikin Morina e Kërçiku
Mario Morina dhe Dorian Kërçiku ikin nga Tirana. Lojtarët dje nuk janë paraqitur në stërvitje, duke dhënë sinjale të forta divorci. Mungesa e rinovimit të kontratës ka bërë që bardheblutë të mbeten pa sulm dhe shanset janë që nga e gjithë kjo situatë të përfitojë Flamurtari.
Për futbollistin 22-vjeçar, edhe pse gjeti akordin me drejtuesit bardheblu, firma nuk erdhi kurrë dhe, për pasojë, ai dje mungoi edhe në seancën e parë stërvitore që u zhvillua në kryeqytet. Sakaq, largimi i paralajmëruar i Kërçikut ka marrë jetë dje në mbrëmje. Mesfushori mësohet se është takuar me drejtuesit dhe ka mbyllur gjithç- ka. Edhe pse ka kontratë, futbollisti do të marrë lejen e kalimit dhe gjasat janë që destinacioni i tij të jetë mes Vlorës, Durrësit ose Laçit.
Serbi
Tirana largon Vladimir Djilasin. Ashtu sikundër edhe ishte paralajmëruar, bardheblutë kanë zyrtarizuar divorcin e parakohshëm me sulmuesin serb. Lojtari në fjalë nuk ka bindur stafin teknik dhe, për këtë motiv, klubi i ka komunikuar lojtarit se akordi i arritur më herët nuk mund të vihej në zbatim. Dy ditë qëndrimi në Mavrovë dhe paraqitja larg pritshmërive në miqësoren me Vllazërimin ka bërë që trajneri Shkëlqim Muça të dalë në konkluzione duke e përcjellë serbin. Klubi, me anë të një deklarate, njofton edhe largimin e lojtarit, teksa shkruan: “Sulmuesi serb Vladimir Djilas është larguar përfundimisht nga Tirana. Trajneri Shkëlqim Muça, pasi e ka parë në miqësoren e së shtunës në Kërçovë, është bindur se sulmuesi serb nuk i shërben skuadrës bardheblu. Djilas është larguar drejt Beogradit dhe është lajmëruar për divorcin e parakohshëm me Tiranën, skuadër me të cilën ai qëndroi për dy ditë në Mavrovë. Akordi i gjetur me të është prishur dhe lojtari është rikthyer në Serbi. KF Tirana i uron suksese në karrierën e tij Djilasit. Shumë shpejt reparti ofensiv bardheblu do të përforcohet. Klubi po punon për zgjidhjen më të mirë”.
Ankandi
Me largimin e Djilas dhe me mungesën e Morinës (që me gjasa nuk do të rikthehet), Tirana futet sërish në merkato për të afruar sulmuesin e shumëkërkuar. Deri më tani, nuk mund të flitet për ndonjë emër që është më pranë se tjetri, pasi klubi është në procesin e shqyrtimit të alternativave që janë ofruar nga menaxherë të ndryshëm. Në fakt, serbin e morën për “pykë”, por Djilas ishte sulmuesi i dytë tipik. Për këtë rol bardheblutë do të tentojnë që të marrin lojtarë të huaj, duke qenë se vendi nuk ka shumë resurse dhe ata që mund të jenë, janë nën kontratë me klube të tjera.













