Tifozi që i kushtoi një milion lekë Partizanit, çfarë ndodhi te ndeshja me Vorën
Prej kohësh Partizani nuk vuan nga gjobat e zakonshme në Komisionin e Disiplinës dhe Etikës, sa u përket tifozëve. Rastet e vetme ku gjobat nuk mungojnë janë në derbin me Tiranën. Përjashtim këtë herë ishte sfida me Vorën, që u luajt gjatë javës së kaluar.

Foto/ Abdulla Dushku
Partizani e pësoi me një milion lekë të vjetra gjobë, pasi një tifoz u fut në fushë në sfidën me Vorën. Ishte momenti kur Arafat Doumbia shënoi në fundin e pjesës së parë, për të kthyer të kuqtë në lojë.
Rezultati shënonte 2 me 1 në favor të Vorës, ndërsa një tifoz i Partizanit u fut në fushë për të festuar. Dhe ky veprim i ka kushtuar kryeqytetasve.
Njoftimi i Disiplinës në FSHF:
“FK Partizani, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hyrë në fushën e lojës dhe duke cënuar sigurinë brenda stadiumit, në bazë të nenit 17/2/a të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë”.
PANORAMASPORT.AL













