“Tifozët të qëllonin lojtarët e Flamurtarit”, ish-gjyqtari Aliko: Ju tregoj shkaqet e situatës në klubin vlonjat
Pajtim Aliko komenton ngjarjet më fundit në Vlorë si dhe situatën e Flamurtarit. Ish gjyqtari ndërkombëtar vlonjat mendon se pretendimet e Teutës për ndeshjen në tavolinë ishin të pabaza.

Madje ai thotë se tifozët e Flamurtarit duhet që të rrihnin lojtarët e tyre dhe jo kundërshtarët. Aliko e shikon të vështirë vazhdimësinë dhe luftën për mbijetesë. Ish-gjyqtari “vesh” me faj ish-trajnerin Karlos Garsia si dhe klubin që nuk i teston futbollistët përpara se të firmosin.
Aliko ke një koment për ngjarjen që ndodhi në Vlorë, ku tifozët u përleshën me futbollistët?
E pabesueshme është ndërhyrja e tifozëve.
Teuta pretendonte për ndeshjen në tavolinë. Ishin provat për këtë dënim?
Jo, jo. Nuk është për ndeshje në tavolinë ajo. Takimi u zhvillua. Një episod ishte nuk ma do mendja për të ndryshuar rezultat. Janë gjëra që ndodhin. Janë zhvilluan ndeshje edhe kur ka ndodhur kaos më i madh. Ky në ndeshjen Flamurtari-Teuta ishte një rast episodik. Është hera e parë që ndodh te Flamurtari një ngjarje e tillë. Teuta nuk e fiton dot ndeshjen në tavolinë, pasi nuk ka arsye. Nuk flas si vlonjat apo tifoz i Flamurtarit, por si profesionist.
Juve si gjyqtar ju ka ndodhur në karrierë ndonjë ngjarje e tillë?
Mua nuk më ka ndodhur asnjëherë një ngjarje e tillë në punën time si gjyqtar.
Pse reaguan ashtu tifozët?
Tifozët nga pakënaqësia e shfrynë mërzitjen tek ekipi tjetër. Për mendimin tim, ata duhet që të qëllonin lojtarët tanë sepse ata nuk po luajnë. Tifozët duhet që të marrin inat futbollistët tanë dhe jo ata që vijnë luajnë këtu, marrin fitoren dhe ikin.
Pse e thoni këtë?
Këta lojtarë nuk e kanë justifikuar fare. Edhe trajnerët nuk e kanë justifikuar punën. Ata më duket se bëjnë 1 orë e 30 minuta stërvitje dhe pastaj se ku shkojnë dhe se çfarë bëjnë nuk e di. Unë i kam parë të gjitha ndeshje. Për momentin jam në Gjermani dhe që këtu ndoqa takimin me Teutën. Futbollistët tanë nuk e justifikojnë fare!
Sa rrezikon Flamurtari rënien nga Superiorja?
Ka kohë që e shikoj shumë të rrezikuar Flamurtarin. Sidomos fitorja e Bylisit me Elbasanin e rrezikon akoma më shumë.
Cilat janë shkaqet e kësaj situate?
Merkato e gabuar. Trajneri parë Karlos Garsia nuk e dinte fare çfarë ishte futbolli shqiptar. Gabimi i tij ishte se ai duhet të bënte ndeshje në Shqipëri gjatë fazës përgatitore për të parë veten ku ishte. Shumica lojtarëve erdhën në javën e fundit. Këta u nisën vetëm nga emri se ai ishte me Realin, kishte luajtur 10 vite para, por tani erdhi nga rruga. Klubi nuk i pa një herë këta, ose nuk i bëjnë testet përpara se ti marrin. Ore, nuk e kuptoj se në botë ikën një lojtar i madh nga Reali dhe e merr Barcelona, ata i bëjnë teste. Këta tanët i marrin dhe i fusin direkt në formacion.
Ka mundësi përmirësimi në janar?
Në janar po të gjesh nja tre “kokrra” por të jenë “kokrra” ama, se lojtarë ka plot por duhen cilësorë dhe që të bëjnë diferencën. E shikoj pak të vështirë. Por mund t’ia dalin dhe unë këtë dëshiroj dhe shpresoj si vlonjat që jam.
Çfarë duhet të kishte ndryshe ky Flamurtar?
Më shumë lojtarë vlonjatë në përbërje. Nuk kemi fare dhe kjo është për të ardhur keq.
ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL













