“Thumbon” Flamur Ruçi: I fal të gjithë golat, vetëm që t’i shënoj Laçit
Bylisi vijon me intensitet përgatitjet anti-Laçi, sfida e cila luhet të diel në Ballsh. Në këtë duel, mallakastriotët pritet që të kenë një mbështetje të madhe nga ultrasit e tyre. Kjo është vënë re edhe nga prezenca në seancat e këtyre ditëve, teksa ka pasur edhe tifozë ultras, të cilët në distancë kanë kërkuar nga stafi e skuadra që të japin shpirtin në fushë të dielën ndaj Laçit e po ashtu kanë marrë sinjale pozitive nga skuadra për marrjen e 3 pikëve.

Trajneri Gentian Mezani e ka ndarë skuadrën në dy grupe dje, pasi një pjesë e tyre janë stërvitur në Ballsh, kurse pjesa tjetër janë angazhuar me ekipin U-21, siç janë: Beqaj, Kane, Mici, Alao, Baçi, Çelaj, Papa, Mane, Perndreca, Almeida dhe Diallo. Ndërkohë po shkon drejt rikuperimit mbrojtësi Marku, por mbetet ende në dyshim për sfidën me Laçin.
FLAMUR RUÇI – Mesfushori fantazist Flamur Ruçi që realizoi në sfidën me Dinamon ndihet i keqardhur që skuadra doli pa pikë dhe ka besim se kthesa vjen në duelin me Laçin, të dielën në Ballsh. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Ruçi, që ka realizuar me Bylisin këtë sezon 4 gola, ka pohuar: “Më vjen keq që, edhe pse shënojmë dhe reagojmë, në fund dalim pa pikë. U afruam në zonën e Dinamos, por dua të them se ndikoi mbase edhe mungesa e sulmuesit kryesor Berko, pasi sulmuesi tjetër ka ardhur në pak më shumë se një muaj më parë në ekipin tonë.
E rëndësishme që ne bëjmë lojë dhe kemi kualitete dhe në ndeshjet me rivalët tanë kemi marrë maksimumin dhe duhet që të vazhdojmë edhe në takimet e tjera duke filluar që nga ndeshja me Laçin, që e luajmë në shtëpinë tonë. Unë dua të them se ka konkurrencë të madhe mes ekipeve dhe këtë po e tregojmë javë pas jave duke ecur ‘rrotë më rrotë’, madje e them me bindje se vetëm në 2-3 ndeshjet e fundit do të vendoset mbijetesa. Tani jemi të fokusuar te dueli i radhës.
Unë ftoj tifozët që të na mbështesin dhe kam dëshirë që të shënoj edhe ndaj Laçit, madje i fal golat e shënuar deri tani për një gol në duelin e radhës që është i rëndësishëm për ne. Do të jemi më të plotë dhe kjo mendoj se është shumë pozitive në të tilla përballje. Kam shumë besim se do e mbyllim me 3 pikë këtë takim”,- tha mesfushori i Bylisit, në prag të duelit me Laçin.
ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL













