Teuta përfiton nga ndërprerja e kampionatit, miqësore me klubin e Kategorisë së Dytë
Skuadra e Teutës do të përfitojë nga ndërprerja e kampionatit për të zhvilluar një ndeshje miqësore përgatitore ndaj Luzit 2008. Klubi durrsak synon të mbajë ritmin e lojtarëve aktiv dhe të testojë disa skema taktike për sfidat që e presin në vijim të sezonit. Takimi është planifikuar të zhvillohet nesër, në Luz, dhe pritet të shërbejë si një provë e mirë për stafin teknik të “djemve të detit”, për të parë në veprim disa prej lojtarëve që kanë pasur më pak minuta në kampionat.

Trajneri do të ketë gjithashtu mundësinë të eksperimentojë me formacione të reja, si dhe të testojë lojtarët e rinj të afruar gjatë merkatos. Nga ana tjetër, “Luzi 2008”, që militon dy kategori më poshtë, do të ketë mundësinë të përballet me një kundërshtar më të fortë, gjë që do të shërbejë si test i rëndësishëm për skuadrën. Ndeshje të tilla miqësore janë të zakonshme gjatë pushimeve të kampionatit, pasi mbajnë të lartë ritmin e garës dhe ndihmojnë në rritjen e harmonisë në grup.Teuta ndodhet në një fazë ku çdo përgatitje është me rëndësi për objektivat sezonalë.
NDALESA E KAMPIONATIT
Ndalesa e kampionatit nuk do të jetë aspak periudhë pushimi për Teutën. Skuadra durrsake ka vendosur të shfrytëzojë maksimalisht këtë pauzë, duke zhvilluar dy seanca stërvitore në ditë në kuadër të përgatitjeve për rifillimin e garës. Stafi teknik, nën drejtimin e trajnerit të ekipit, ka hartuar një program të ngjeshur që përfshin stërvitje në mëngjes dhe pasdite.
Seanca e parë është e përqendruar kryesisht në aspektin fizik, me fokus në forcë, qëndrueshmëri dhe rikuperim. Seanca e dytë, nga ana tjetër, i kushtohet elementeve taktike dhe ushtrimeve me top, duke simuluar situata loje dhe duke përmirësuar lëvizjet kolektive të skuadrës. Ky ritëm intensiv synon të mbajë lojtarët në formën më të mirë për të qenë gati për sfidat vendimtare të kampionatit. Ndalesa vjen në një moment ku Teuta kërkon të ruajë ritmin e fitoreve dhe të përmirësojë aspektet që janë evidentuar si pika të dobëta gjatë javëve të fundit.
RIKTHIMET
Lajme të mira kanë ardhur edhe nga infermieria. Mbrojtësit Jazxhi dhe Kotobelli, si edhe sulmuesi Torraj, të cilët kanë munguar për shkak dëmtimesh, pritet të jenë plotësisht të gatshëm për ndeshjen e fundjavës që Teuta do të zhvillojë ndaj bardhebluve. Rikthimi i tyre është një shtysë e madhe për skuadrën durrsake, e cila kërkon të jetë sa më e plotë në një sfidë mjaft të rëndësishme për ecurinë në kampionat.
ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL













