Teuta gati për Dinamon, trajnerit Hodo i kthehet Tafas dhe Jazxhi
Teuta luan kundër një kundërshtari të fortë, në një formë të mirë për momentin, por te Teuta nuk i tremben aspak sfidës me Dinamon.
Përkundrazi, durrsakët po punojnë mjaft të qetë për të treguar vlerat e tyre më të mira edhe këtë herë. Trajneri Hodo e ka përqendruar punën te taktika që do të ndjekë për këtë 90- minutësh, që shënon edhe nisjen e një turi force për blutë. Pas Dinamos, Teuta do të përballet me Laçin dhe pastaj me Tiranën në transfertë. Por, askush në kampin durrsak nuk sheh përtej ndeshjes që luhet nesër.
GJENDJA – Te Teuta ka pasur një shqetësim Angelo Tafas, që mungoi në këto javë. Lojtari kishte një dhimbje në shpatull. Trajneri Hodo tanimë do ta ketë të gatshëm portierin ndaj Dinamos. Me grupin është bashkuar ndërkohë Jazxhi dhe tanimë ka nisur ushtrimet me topin dhe normalisht ka marrë ritmin pas dëmtimeve.
PËRGATITJET- “Djemtë e Detit” kanë vijuar dje përgatitjet për takimin ndaj Dinamos, nën drejtimin e trajnerit Hodo dhe ndihmësve të tij. Ekipi zhvilloi një seancë të karakterit taktik, ku stafi po jep këshillat e fundit. Grupi është në gjendje optimale dhe në dispozicion të stafit teknik do të jenë të gjithë. Fitorja ndaj Dinamos është detyrim, duke qenë se lufta për mbijetesë është shumë e ashpër dhe asnjë gabim nuk falet.
Z.QYPI-PANORAMASPORT.AL













