Tetova kërkon përqendrim, nuk lejohen gabimet e Egnatias kundër Tiranës
Në kampionatin shqiptar, çdo javë sjell sfida me rëndësi, por për Egnatian përballja me Tiranën është një kapitull më vete. Bardheblutë mbeten një nga emrat më të mëdhenj të futbollit shqiptar, një klub me traditë dhe peshë historike, që edhe në momentet kur nuk është në formën më të mirë, di të jetë i rrezikshëm dhe i paparashikueshëm.

Për këtë arsye, dueli i radhës shihet si një provë e rëndësishme për Egnatian, që kërkon të konfirmojë vazhdimësinë dhe të tregojë se vendi në klasifikim nuk është rastësi.
Edhe pse Tirana i ka bërë një nisje të dobët kampionatit, Tetova i ka kërkuar lojtarëve të tregohen maksimalisht të përqendruar. Gjithsesi, gjatë javës në Rrogozhinë janë dhënë direktiva të qarta sesi mund të shkohet tek fitorja dhe të mos hasin shumë probleme, gjithnjë nëse do të zbatohen detyrat.
KONTROLLI I LOJËS – Trajneri Edlir Tetova është i qartë në direktivat që ka dhënë gjatë gjithë javës: zotërim i topit, ritëm i lartë dhe presion konstant mbi kundërshtarin. Ai u ka bërë të ditur lojtarëve se çdo minutë e lënë në dorë të Tiranës është një risk që mund të kthehet në rrezik.
Ky stil i lojës kërkon jo vetëm përqendrim, por edhe një kondicion të fortë fizik dhe mbështetje të vazhdueshme mes reparteve. Për këtë arsye, Tetova ka insistuar në stërvitje tek lëvizjet kolektive dhe tranzicioni i shpejtë nga mbrojtja në sulm.
GODITJET STANDARDE – Në analizat e bëra pas ndeshjeve të fundit, stafi teknik i Egnatias ka vënë re se skuadra shpesh ka vuajtur në rastet e goditjeve standarde kundër. Pikërisht këtu është vendosur një theks i madh gjatë përgatitjes së kësaj jave.
Skuadra është stërvitur gjatë mbi markimin në zonë, reagimin ndaj topave të dytë dhe vendosjen e saktë të murit mbrojtës. Për Tetovën, një moment pakujdesie në një goditje këndi apo një faull pranë zonës mund të prishë gjithë punën e bërë me topin në këmbë.
PJESA E PARË, ÇELËSI I SUKSESIT – Një tjetër objektiv që Tetova ka vendosur për lojtarët është mbyllja e pjesës së parë në avantazh. Për teknikun durrsak, një nisje e fortë dhe një gol i hershëm mund të ndryshojë gjithë rrjedhën e lojës.
Nëse Egnatia arrin të shënojë para pushimit, atëherë do të ketë më shumë hapësira në pjesën e dytë, pasi Tirana do të detyrohet të hapet dhe të marrë më shumë rreziqe. Kjo qasje është parë edhe në disa nga ndeshjet e sezonit të kaluar, ku Egnatia ka ditur të jetë efikase në fillim, duke marrë avantazhin që më pas e ka administruar me maturi.
Këto tre javë të para pjesët e para nuk kanë qenë efikase, ndaj edhe ekipi ka hasur vështirësi për të shkuar tek pikët dhe fitoret.
PANORAMASPORT.AL













