Te Valbona besojnë te mrekullia, qëndrimi në kategori. Krasniqi: Shënoj dhe e mundim sërish Lushnjën
Skuadra e Valbonës ka marrë një pikë të rëndësishme, që e ndihmon për ecurinë, duke përfituar edhe nga humbjet e rivalëve. Ajo ka afruar diferencën me këta rivalë dhe ndodhet 6 pikë larg Korabit dhe 7 larg Kukësit, që konsiderohen tashmë si dy nga rivalët që duhen lënë pas për të mbijetuar.

E për ta, kjo është e mundur pasi janë edhe 12 javë në dispozicion. Këtë të shtunë, tropojanët do të luajnë në stadiumin e tyre ndonëse kanë qenë të pafat, sepse kanë marrë vetëm 5 pikë dhe nuk ka arritur tjetër fitore veç asaj me Erzenin. Morali dhe motivimi i kësaj skuadre për të marrë një fitore është i lartë, pasi skuadra tropojane e ka mundur në Lushnjë bukur e pastër 2-0. Për të bërë një tjetër mrekulli ndaj lushnjarëve, skuadra e Valbonës, duhet të përkushtohet me vetëbesim dhe dëshirë për të thyer edhe atë “tabu” të humbjeve në stadiumin e tyre.
Jeton Krasniqi për “Panorama Sport” foli për golin e shënuar ndaj Kastriotit dhe sfidën me Lushnjën. “Në Fushë-Krujë ne mund të dilnim edhe me tri pikë, pasi reaguam mjaft mirë, shënuam të parët. Gjithsesi, ne e kemi lënë pas dhe po përqendrohemi te takimi radhës që do të zhvillojmë në Tropojë, kundër Lushnjës e do të kërkojmë trepikëshin. Ai gol që unë shënova kundër Kastriotit shkon për tifozerinë tonë dhe do të bëj të gjitha përpjekjet që edhe kundër Lushnjës jo vetëm të shënoj, por edhe të fitojmë atë takim”, mbylli Krasniqi.
ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL













