“Të them të drejtën nuk e kisha menduar se mund të humbja sot në Shkodër”, Martini tregon situatën alarmante te Vllaznia: Edhe Bekimi po e shtyn me shpirt ndër dhëmbë
Trajneri i Vllaznisë, Edi Martini, ka pranuar se nuk e kishte menduar humbjen ndaj Teutës. Gjithsesi, ai ka shpjeguar se situata që po kalon ekipi, vjen nga dëmtimet e njëpasnjëshme që e kanë goditur.

“Të paktën të mos pësosh gol e ta mbyllësh ndeshjen në barazim. Ka ditë që ekipi nuk është mirë dhe një nga këto ishte edhe e sotmja. Të them të drejtën kemi dy-tre javë që nuk jemi mirë. Normalisht lojtarët që kemi në lojë kanë qenë të dëmtuar, janë shumë poshtë rendimentit të tyre, janë 4-5 të tillë. Por kurrsesi nuk duhet të humbej ndeshja.
Janë katër lojtarë të rëndësishëm. Jago ndjente shteqësime, nuk e kisha futur në ndeshjen tjetër se kishte shfaqur një problem në pulpë, kërkoi të zëvendësohej. Kallaku po ashtu, Bismark po ashtu, Mala po ashtu. Ishin katër lojtarë, janë tepër, na prishën punë në fazën sulmuese. Gjithsesi, duhet ta kuptojmë që kur nuk je në manovër sulmuese dhe nuk je mirë, të paktën të mos pësosh gol. Kishim edhe ne rastet tona por gjithsesi nuk jam i kënaqur me lojën edhe pse u munduam në pjesën e dytë të shënonim. Pësuam atë gol në kundërsulm, duhet të ishim më të kujdesshëm. Por gjithsesi, duhet ta pranojmë që jemi në një moment jo të mirë
Ato që hynë në lojë të them të drejtën u munduan. Di të them që edhe Murataj ishte i dëmtuar, e la ndeshjen i dëmtuar pas Partizanit, ndaj nuk u fut plotësisht në lojën e ekipit. Me pjesën tjetër që hynë jam i kënaqur, duhet të jenë gati se gjithsecili është i nevojshëm për ekipin. Në ndeshjen tjetër, këta që hynë mund t’i kemi në formacion, pasi nuk e dimë si mund të jetë gjendje e atyre qe u ndërruan.
Po ta shikoni, janë të katër lojtarët që u ndërruan, janë prej një muaji që hyjnë e dalin në stërvitje me probleme fizike. Bekimi ka problemet e tij, po e shtyn me shpirt në dhëmbë se ka pasur edhe ai shqetësimet e veta. Kështu që komplet pjesa e sulmit, apo me Jagon që sulmojmë e Bismarkun, Bekimin, Muratajn, Kallakun e Malën, të gjithë kanë pasur probleme gjatë stërvitjeve. Kështu që nuk kanë freskinë e duhur, ndaj nuk jemi në lojën që jemi mësuar të bëjmë.
Unë nuk e mendoja se mund ta humbja ndeshjen, kisha besim se do ta fitoja, kisha besim te djemtë. Megjithatë, gjithmonë, nuk e mendoja që mund ta humbja, por edhe barazimin se Teuta është ekip që mbrohet mirë, pëson shumë pak gola. Nuk e kisha menduar të them të drejtën që mund të humbja sot në Shkodër”, tha Martini për RTSH pas ndeshjes.
PANORAMASPORT.AL













