Të shara dhe kartonë të kuq te vajzat, Teuta përmbys Gramshin për vendin e tretë. Sot finalja e madhe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 29, 2026 | 8:22

Të shara dhe kartonë të kuq te vajzat, Teuta përmbys Gramshin për vendin e tretë. Sot finalja e madhe

Teuta ka fituar finalen e vogël të fazës “Final 4” në kampionatin kombëtar të futbollit për vajza, duke e mbyllur edicionin në vendin e tretë. Durrsaket triumfuan përballë Gramshit me rezultatin 4-2, në një takim që dhuroi emocione, por gjithashtu edhe tension. Një sukses që erdhi me përmbysje për skuadrën bregdetare, ndërsa ndeshja e luajtur në “Shtëpinë e Futbollit” në Tiranë ofroi edhe momente anti-sportive, siç ishin të sharat me “libër shtëpie” që erdhën nga pankina gramshiote.

Foto nga A. Dushku

Foto nga A. Dushku

Takimi nisi me një supergol të brazilianes së Gramshit, Maria Garcia Davilla, e cila që në minutën e tretë tundi rrjetën me një goditje spektakolare, diagonal me portën, me topin që preku shtyllën duke përfunduar më pas në rrjetë. Në minutat në vijim Teuta provoi të reagonte, duke krijuar 2-3 mundësi të mira, por pas sukses. Në të 35-të një konflikt mes Musajt dhe Kotarjas u zgjidh me këshillimin e gjyqtares Kejsi Tafili, ndërsa pjesa e parë u mbyll me avantazhin e gramshioteve të Alpin Gallos.

Fraksioni dytë nisi përsëri me gol nga gramshiotet, ku sërish autore ishte braziliania Maria Garcia Davilla, e cila gjeti golin e dytë personal, duke e thelluar në 0-2 epërsinë. Por, 10 minuta më vonë durrsaket fituan një 11-metërsh, të cilin e ktheu në gol Mikaela Metalla. Në të 71-tën Denada Loci, e cila me shtatlartësinë e saj bën diferencën, zotëroi një top brenda zonës për ta dërguar më pas në rrjetë, duke i barazuar shifrat 2-2, rezultat me të cilin u mbyll edhe koha e rregullt.

Më tej takimi vijoi me kohë shtesë, ndërsa që në fillim skuadra e Arjan Shetës gjeti golin me Lima Rodriguezin, duke përmbysur në 3-2. Pjesa e parë e shtesës u mbyll me një shtyllë nga Lima Rodriguez. Fraksioni dytë nisi me dy kartonë të kuq për Gramshin, dy ndëshkime jo nga fusha, por nga pankina.

Flondra Berhami dhe drejtoresha Edonisa Aliu e “lëshuan gojën” me ofendime ndaj gjyqtares dhe u larguan mes tensionit para kohe nga ndeshja. Ndërkohë, në minutën e fundit Lima Rodriguez vulosi suksesin, duke shënuar edhe golin e katërt për Teutën. Sot në orën 16:00 do të jetë radha e finales së madhe ndërmjet Vllaznisë dhe Teutës, takim që do të luhet në stadiumin “Selman Stërmasi”.

ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL