Te Bylisi janë të bindur që ndaj Laçit kthehen te tri pikët, Sulovari: E mundim skuadrën kurbinase

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 14, 2025 | 23:22

Te Bylisi janë të bindur që ndaj Laçit kthehen te tri pikët, Sulovari: E mundim skuadrën kurbinase

Bylisi do të luajë me Laçin, pas dy ditëve në “Adush Muçaj”, në një duel delikat, por edhe vendimtar për mbijetesën e dy ekipeve. Trajneri Gentian Mezani ka besim se skuadra e tij do ta kalojë me 3 pikë këtë duel. Në Ballsh do të hedhin në fushë më të mirët, ndërsa pritet që të ketë edhe rikthime në formacion, pasi në Elbasan ndaj Dinamos munguan Berko e Da Silva.

Sulovari Bylis

Të dy lojtarët me tipare ofensive, pritet që të jenë një forcë e shtuar për skuadrën ballshiote. Në prag të sfidës me bardhezinjtë në shtëpi ka folur për “Panorama Sport”, një nga pikat e forta të Bylisit, mesfushori Henri Sulovari, i cili javë pas jave, jo vetëm e ka marrë veten, por edhe ka luajtur si titullar në Ballsh. “Unë kam luajtur edhe më parë në Superiore, por edhe në Kategorinë e Parë.

Në verën që erdha te Bylisi, mendova që të provoja elitën sërish, sepse vija me më shumë eksperiencë dhe do të ishte një sfidë ndryshe për mua. Mendoj se ia ka vlejtur kjo eksperiencë, edhe për faktin se jam aktivizuar, madje edhe si titullarë në disa takime. Kemi një grup shumë të mirë, madje edhe konkurrenca në skuadrën tonë është e madhe sepse ka edhe lojtarë me shumë eksperiencë që kanë lënë gjurmë në Superiore, por edhe të huaj që vijnë nga jashtë.

Konkurrenca sigurisht që më bën mirë dhe unë kam si synim që të luaj sa më shumë deri në fund të këtij sezoni. Ajo që është më e rëndësishmja, na duhet që të grumbullojmë sa më shumë pikë dhe duke nisur që nga ndeshja e radhës, të cilën e luajmë në shtëpinë tonë të fitojmë. Janë sfida, të cilat i luajmë me rivalë direkt dhe fitorja vlen shumë, prandaj të gjithë duhet që të bëjmë maksimumin.

Bylisi është një ekip që këtë sezon ka ditur të marrë jo vetëm pikë, por edhe të fitojë jashtë fushe, ashtu sikurse kemi bërë hapa falsë edhe në fushën tonë. Prandaj, në 7 javët që na kanë mbetur në kampionat, duhet që të marrim maksimumin e pikëve”, tha mesfushori i Bylisit, Henri Sulovari.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL