“Synoj kthesën ndaj Tiranës”, kapiteni Balaj: Vllaznia rikthehet, titulli mbetet objektiv
Bekim Balaj ishte “ylli” i mbrëmjes gala të organizuar nga FSHF ditën e hënë. Me sulmuesin e Vllaznisë që u shpall jo vetëm “Këpuca e Artë” si golashënuesi më i mirë i sezonit të shkuar, por madje fitoi edhe çmimin e Topit të Artë të vitit.

Duke qenë kështu edhe lojtari më i mirë i Superiores. Kështu 34-vjeçari realizoi një “dopietë” duke pasur parasysh edhe çmimet e marra vitin e shkuar. Në një prononcim për pas këtyre çmimeve, ish-sulmuesi edhe i Tiranës ka folur pikërisht për vlerësimin e bërë. Ku shprehet shumë krenar dhe i plotësuar nga këto çmime. Kapiteni i Vllaznisë ndalet edhe tek situata aktuale e kuqebluve, duke pohuar momentin e vështirë. Por, që nuk e lëkund aspak skuadrën drejt objektivit që ngelet fitimi i titullit kampion.
Balaj, sërish dopietë trofesh individual për ju, krenar besojmë?
Absolutisht shumë i kënaqur sepse kurorëzoi një vit pozitiv për mua e po ashtu për skuadrën në përgjithësi. Ishim aq pranë me Vllazninë edhe sezonin e shkuar për të fituar titullin kampion, por nuk ia dolëm fatkeqësisht. Shpresoj që këto çmime individuale të pasojnë me ato ekipore që janë shumë më të rëndësishme dhe vlefshme për mua.
Ndonjë dedikim të veçantë për këto nderime?
Të gjithëve që më kanë votuar dhe besuar mua, i falënderoj me zemër. Patjetër për tifozët e Vllaznisë, familjen dhe klubin. Pa këto mbështetje nuk mund të arrish kurrë lart dhe kjo më plotëson akoma më shumë e më bën të ndihem akoma më mirë.
Po situata aktuale që po kalon ekipi juaj?
Është e vërtetë që nuk jemi në një moment të mirë dhe këtë e dimë. Po kërkojmë reagimin për të dalë nga kjo situatë sa më shpejt dhe uroj ta bëjmë diçka të tillë që nga ndeshja e radhës. I dimë aftësitë tona dhe ky është një “ngërç” momental sepse Vllaznia do kthehet si në fillimin e edicionit. Për këtë të jeni të bindur sepse ne nuk lëkundemi lehtë drejt objektivave dhe qëllimeve që kemi deri në fundin e kampionatit.
Pra, objektivi ngelet ai për titullin kampion?
Patjetër që po, ajo është ëndrra jonë për të cilën po punojmë prej disa sezonesh. Nuk heqim dorë lehtë dhe ekipi ka qenë aty gjithë këto sezone, prandaj edhe këtë sezon nuk ka përjashtime. Titulli ngelet objektivi kryesor për të cilin duhet të punojmë duke ulur kokën dhe përqendruar shumë. Thashë i kemi mundësitë dhe futbollistët për t’ia dalë mbanë në fundin e sezonit.
Nis kthesa e Vllaznisë pikërisht në “klasike” kundër Tiranës, ku ti je një ekspert i golave në portën e bardhebluve?
Ashtu shpresoj sepse në këto momente ku jemi ne vetëm fitoret dhe 3 pikët na hynë në punë. Nuk është ndeshje aspak e lehtë dhe duhet ta shohim si “finale” sepse është “klasike” dhe s’kanë aspak renditjet apo forma e ekipeve. Kush shënon pastaj pak rëndësi ka për mua, rëndësi ka që Vllaznia të jetë fitimtare në këtë duel. Dhe ne të kthehemi në rrugën e duhur, ku do ishim edhe më të qetë në fundin e vitit.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













