Sulovari kujton episodet: Elbasani na mundi me penallti të paqenë, kurse neve na u mohua 11- metërsh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 18, 2025 | 20:35

Sulovari kujton episodet: Elbasani na mundi me penallti të paqenë, kurse neve na u mohua 11- metërsh

Bylisi i javëve të fundit ka gjetur qetësinë, por edhe lojën e bukur dhe rezultatet, ndonëse ka pasur mundësi për më shumë. Ajo që të jep optimizëm janë golat që mallakastriotët kanë shënuar e sidomos sulmuesi shtatlartë Ibrahim Mustafa ka shënuar, si ndaj Teutës ashtu edhe ndaj Vllaznisë.

Sulovari Bylis

Sulmuesi me eksperiencë duket se ka gjetur shpërthimin dhe Josa bashkë me stafin shpreson që kjo të ndikojë për mirë sidomos në këto dy ndeshjet e mbetura në kampionat, ndaj Elbasanit dhe Vorës në kampionat. Në 180 minutat e mbetura, në Ballsh duan që të mos gabojnë, pasi luajnë dy takime delikate dhe që vendosin shumë për mallakastriotët, të cilët duhet që të largohen sa më shumë mga zona e rrezikut.

Ballshiotët në këtë fazë kanë grumbulluar 6 pikë në 7 javë, por që janë larg objektivave dhe pritshmërive, ndonëse në këtë fazë të garës kanë pasur më shumë ndeshje jashtë fushës së tyre se sa në shtëpi, çka ka pasur ndikimin e vet në pikaverazh dhe ecuri. Për “Panorama Sport”, te ballshiotët ka folur një nga lojtarët e dalluar të skuadrës, Henri Sulovari, mesfushori energjik që këtë sezon sa herë është aktivizuar ka bërë mirë.

ECURIA- Vijmë nga dy ndeshje deçizive me dy ekipe me pretendime si Teuta e Vllaznia dhe duam që të ruajmë ritmin edhe në vijim. Kur kanë mbetur edhe dy ndeshje nga fundi i këtij viti dhe faza e dytë, duhet që të japim më të mirën tonë, për të marrë maksimumin e pikëve.

NDESHJET E RADHËS- Presim Elbasanin dhe më pas luajmë një transfertë delikate në Vorë, kështu që duhet të bëjmë më të mirën, pasi i kemi tëra mundësitë. Këtë ndeshje e luajmë në shtëpinë tonë, Elbasani na mundi në fazën e parë, por nuk e merituam atë disfatë, sepse luajtëm me 10 vetë por edhe me penallti e paqenë, kurse neve na u mohua një 11- metërsh, kështu që në këtë duel ne duhet që t’u kthejmë reston atyre.

SKUADRA- Bylisi është një skuadër shumë e fortë, kemi cilësi dhe duhet që të bëjmë kthesën drejt fitores sepse i kemi tëra mundësitë. Për vetë faktin që luajmë në fushën tonë dhe në sytë e publikut tonë ndeshjen e fundit të Vitit 2025, na duhet që të japim dyfish të mundësive dhe të fitojmë këtë takim, madje të luajmë ashtu si në sfidat e fundit.

TIFOZËT- Ftoj tifozët që të na mbështesin sepse nuk do t’i zhgënjejmë, do të hyjmë në fushë për ta fituar këtë duel delikat”, tha Henri Sulovari, një nga lojtarët me perspektivë të mallakastriotëve. Sulovari ka luajtur këtë sezon në 9 ndeshje me skuadrën e Bylisit dhe ka spikatur jo pak duke fituar besimin e trajnerit Josa. Sezonin e shkuar, mesfushori e mbylli kampionatin me 27 ndeshje të zhvilluara, pa arritur të gjente rrugën e rrjetës.

ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL