Sulmuesi pas sfidës ndaj Partizanit, Kasalla: Me Tiranën marrim tri pikët e para

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 27, 2025 | 21:27

Sulmuesi pas sfidës ndaj Partizanit, Kasalla: Me Tiranën marrim tri pikët e para

Skuadra ka startuar me një ekip që ka frikësuar menjëherë kundërshtarin e parë të radhës, pasi ka qenë superiore në ndeshjen kundër Partizanit. Duke marrë parasysh statistikat, vorakët jo vetëm që e kanë qarkulluar më shumë topin, por edhe rastet e tyre kanë qenë shumë më të pastra, duke detyruar të kuqtë të fitonin minimalisht, madje falë një autogoli. Gjithsesi, për Vorën ky ishte testi i parë në Superiore dhe paraqitja e saj tregon më së miri se do të jetë surpriza e këtij kampionati.

Screenshot 2025-08-27 212644

Dy futbollistë të Vorës ishin ndër më të mirët në fushë: Patrik Bardhi dhe Irgi Kasalla. Pikërisht Kasalla, i cili ishte një ndër protagonistët kryesorë të sfidës, në një prononcim për “Panorama Sport” shprehet: “Vora e këtij kampionati është ndërtuar me një ekip që do të frikësojë kundërshtarët, ose më qartë do të jetë surpriza e Superiores. Te ne janë afruar disa lojtarë shumë të rëndësishëm, duke pasur kohën e duhur për një merkato të tillë.

Vora ka synime të qarta këtë vit, jo vetëm për mbijetesë, por për të qenë në gjashtëshen më të mirë. E ndoshta në ndeshjen e parë na mungoi përvoja, por tashmë skuadra është ambientuar dhe ndaj Tiranës luajmë për tri pikë.”

Në Laç – Ndeshjen e radhës, Vora do ta luajë kundër Tiranës, por edhe pse është skuadër pritëse, sfida nuk do të zhvillohet në fushën e saj. Për shkak se stadiumi i Vorës nuk është ende i gatshëm, ndeshjet që i përkasin fushës së saj do të luhen në stadiumin e Laçit.

Akordi i arritur mes Vorës dhe Laçit, me ndërmjetësim të FSHF-së, ka bërë që përballja ndaj bardhebluve të zhvillohet në këtë impiant. Ndërkohë, për këtë sfidë debutuesit e Superiores do të kenë edhe dy mungesa të rëndësishme. Përveç Manfredas Ruzgis, tashmë nuk do të jetë as Françesko Hasaj, i cili u dëmtua në ndeshjen kundër Partizanit. Dy pika të dobëta që përbëjnë një humbje të madhe për ekipin e sapongjitur, por që nuk e ulin aspak entuziazmin dhe besimin në forcat e tyre.

ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL