Sulmi i Bylisit, në plan të parë për sfidën me Egnatian

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 21, 2025 | 20:29

Sulmi i Bylisit, në plan të parë për sfidën me Egnatian

Në një sfidë si kjo me Egnatian, te Bylisi do të jenë të plotë dhe kjo e bën edhe më optimist ambientin në Mallakastër. Trajneri Mirel Josa dhe stafi i tij, tashmë janë duke ideuar dhe projektuar formacionin që do të hedhin në fushë nesër pasdite në “Arena Egnatia”.

bylis

Mallakastriotët rikthehen në këtë duel pas disfatës në Vlorë, megjithatë, nga ajo që është parë edhe në seancën e djeshme lëvizjet do të jenë të pritshme. Presidenca është, duke i qëndruar afër ekipit, teksa grumbullimi ka qenë strikt këtë periudhë, ku është shfrytëzuar dhe si një minifazë në kushte shtëpie kjo periudhë pauze e garës në Superiore për ballshiotët. Sot skuadra do të kryejë seancën e fundit para transfertës me Egnatian, ku pritet që të mësohen më shumë enigma. E sigurt është që objektiv do të jetë marrja e një rezultati pozitiv medoemos në këtë transfertë delikate edhe për atë se ndeshjet sa vijnë e bëhen edhe më të vështira dhe ballshiotët ecin me llogari.

FORMACIONI- “Panorama Sport” ka qenë afër seancave të Bylisit, teksa nga sa është parë në Rrogozhinë, mund të ketë ndryshime, në sajë të rëndësisë së sfidës pas disfatës në Vlorë. Vashou në portë, ndërsa në mbrojtje, Kamara mund të rikthehet djathtas në vendin e Kanesë, ose mund të spostohet Marku. Në qendër Buno stabël, ndërsa mund të ketë këtë herë edhe Oforin ose Abazajn, teksa majtas do të jetë Përndreca. Përpara tyre në mesfushë treshja klasike, me Malomon Adeduron e Përgjonin, ndërsa Koxhi e Peralta do të luajnë në krahë.

Ualison në sulm, por mund ta nisë Mustafa nga minuta e parë, i fortë fizikisht, por tenton edhe portën. Gjithsesi, një vend në sulm tashmë e kërkon edhe sulmuesi Runi, por mbetet për t’u parë. Skuadra do të shoqërohet edhe nga një pakicë tifozësh në këtë duel, pasi kureshtarë, ata nuk kanë munguar as ne testet e kontrollit, por edhe seancat stërvitore prag-Egnatia.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL