Statistikat/ Flamurtari i beson historisë, dy fitore me skuadrat e “Final 4”
Flamurtari do të presë të hënën në Vlorë skuadrën e Dinamos, ku natyrisht i pret një përballje e vështirë duke parë kundërshtarin që kanë përballë, por edhe formën që dy skuadrat po kalojnë.
Fitorja e fundit e kuqezinjve ndaj Egnatias, ka rritur besimin se mund të bëjnë të njëjtën gjë edhe ndaj Dinamos, sidomos duke parë faktin se ndeshja luhet në Vlorë, para tifozëve. Ndeshja e parë me Dinamon, u mbyll me rezultatin 2-0 për kryeqytetasit, megjithatë te Flamurtari kanë besim se mund të krijojnë vazhdimësi.
Këtë sezon, kuqezinjtë kanë marrë vetëm 3 fitore në kampionat, 2 prej të cilave me skuadra që pretendojnë titullin kampion dhe që aktualisht janë të renditura në zonën e “Final 4”. Pak javë më parë, Flamurtari mori fitore ndaj Vllaznisë, para se të merrte një trepikësh tjetër me Bylisin po në Vlorë.
Fitorja e parë në transfertë, erdhi këtë javë ndaj Egnatias, një tjetër skuadër në zonën e vendeve të para dhe me të njëjtat objektiva si Vllaznia apo edhe Dinamo që do të luajë këtë javë në qytetin bregdetar, ditën e hënë duke nisur nga ora 19:00.
PANORAMASPORT.AL













