Statistikat/ Besa mbetet e dështuar, por shfaqet si kampionia e vitit 2025 në Kategorinë e Parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 31, 2025 | 18:42

Statistikat/ Besa mbetet e dështuar, por shfaqet si kampionia e vitit 2025 në Kategorinë e Parë

Viti kalendarik 2025 ka qenë një periudhë dinamike dhe e mbushur me zhvillime për klubet shqiptare që kanë marrë pjesë kryesisht në Kategorinë e Parë, ku performanca sportive është ndikuar ndjeshëm edhe nga lëvizjet mes kategorive, ristrukturimet dhe ndryshimet organizative.

besa apolonia

Sipas analizës dhe statistikave të grumbulluara nga “transfermarkt”, sajt i specializuar për vlerat e kartonëve të lojtarëve dhe klubeve, por edhe statistikave, del se kavajasit kanë pasur paraqitjen më të mirë përgjatë vitit kalendarik 2025. Në krye të renditjes vjetore spikat Besa, e cila zhvilloi 33 ndeshje gjatë vitit dhe grumbulloi 59 pikë, duke u konfirmuar si skuadra më konstante e 2025-ës, edhe pse dështoi vjeten ë ngjitjen në Superiore dhe aktualisht ka pasur luhatje. Me 49 gola të shënuar dhe vetëm 31 të pësuar, kavajasit treguan stabilitet si në mbrojtje ashtu edhe në sulm.

Pas saj renditet Pogradeci me 58 pikë, shumë pranë Besës, duke qenë një nga skuadrat më konkurruese dhe më të qëndrueshme të vitit. Pogradeci dështoi vjet në finalen e “play off”-it ndaj Tiranës, duke i shkuar shumë pranë ngjitjes në elitë. Burreli dhe Apolonia mbyllën katërshen e parë të vitit 2025, me matjanët që ruajtën ekuilibër perfekt në diferencën e golave (31-31), ndërsa Apolonia shfaqi potencial ofensiv të lartë me 38 gola të shënuar, duke u pozicionuar si një skuadër e fortë e mesit të lartë të tabelës.

Një rast i veçantë është Skënderbeu, i cili zhvilloi vetëm 17 ndeshje gjatë vitit në Kategorinë e Parë, përpara se të zbriste nga Superiorja. Megjithatë, korçarët ishin dominues në këtë periudhë, me 40 pikë, 13 fitore dhe diferencë pozitive golash (+16), duke dëshmuar se kryesimi aktual është plotësisht i merituar. Në të njëjtën situatë ishte edhe Laçi, që pas 17 ndeshjesh dhe 33 pikësh, siguroi vendin e dytë në Kategorinë e Parë, ndërsa fillimin e vitit e kaloi në Superiore. Kurbinasit po konfirmojnë statusin e një klubi me traditë.

Edhe Vora dhe Flamurtari patën një rrugëtim të ngjashëm, duke zhvilluar nga 16 ndeshje secila në Kategorinë e Parë gjatë vitit 2025, përpara se të ndryshonin kategori, duke u ngjitur në Superiore. Flamurtari spikati veçanërisht me bilanc të fortë (31 gola të shënuar dhe vetëm 9 të pësuar), duke qenë një nga skuadrat më efektive në raport ndeshje-rezultat.

Në mesin e tabelës u pozicionuan Korabi, Lushnja dhe Kastrioti, skuadra që përjetuan një vit me luhatje të shumta. Korabi, ndonëse shënoi 40 gola, pësoi 43, duke reflektuar mungesë ekuilibri, ndërsa Lushnja dhe Kastrioti u përballën me vështirësi konstante në aspektin difensiv. Në pjesën e poshtme të renditjes gjenden skuadra që gjatë vitit 2025 u përballën me probleme serioze sportive dhe strukturore. Kukësi pati një vit shumë të vështirë, me vetëm 20 pikë në 33 ndeshje dhe diferencë të thellë negative golash (-26).

Luftëtari, Iliria dhe Erzeni u luhatën mes Kategorisë së Parë dhe së Dytë, pa arritur të konsolidohen, ndërsa Valbona përjetoi një situatë të veçantë, duke u shkrirë në fillim të sezonit 2025-2026, çka bëri që të mos marrë pjesë në Kategorinë e Dytë. Në përfundim, viti 2025 për Kategorinë e Parë ishte një vit tranzicioni, ku disa klube hodhën bazat për rikthim në elitë, disa të tjera luftuan për mbijetesë, ndërsa jo pak u përballën me realitete të vështira jashtë fushës. Kjo panoramë e gjerë tregon qartë kontrastin mes ambicies sportive dhe sfidave strukturore që vazhdojnë të shoqërojnë futbollin shqiptar.

Screenshot 2025-12-31 184119

PANORAMASPORT.AL