“Sponsorizon” Dinamon për titullin, portugezi i kryeqytetasve rrëfen ambientimin: Nuk më folën mirë për Shqipërinë
Dinamo ishte një nga skuadrat më aktive në merkaton e verës, duke shitur e njëkohësisht duke afruar lojtarë. Andre Teikseria erdhi për të ndihmuar “nëndetësen” në prapavijë dhe deri më tani, po bën shumë mirë si në qendër të mbrojtjes që është pozicioni i tij natyral, ashtu edhe në të djathtë ku është aktivizuar disa herë.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Teikseria ka folur për aventurën e tij në vendin tonë, duke vlerësuar futbollin këtu. Ai pranoi se nuk kishte dëgjuar fjalë të mira nga një ish-futbollist që më parë ka luajtur në Shqipëri ndërkohë që vlerësoi Dinamon duke e parë si pretendente.
Andre, ky është sezoni yt i parë në Shqipëri. Si po shkon procesi i adaptimit si me futbollin shqiptar, ashtu edhe me jetën këtu? Mendoj se adaptimi ka qenë gradual dhe i mirë. Në fillim hasa një realitet paksa ndryshe, por u përshtata. U pritja shumë mirë nga të gjithë në klub, gjë që më ndihmoi në këtë proces. Në të njëjtën kohë gjeta një skuadër që kishte punuar bashkë për 2-3 muaj dhe duhej të përpiqesha të kapja ritmin e shokëve të ekipit, idetë e trajnerit, të gjitha ato gjëra sa më shpejt të ishte e mundur. Mendoj se ia dola dhe se në këtë moment jam tashmë i përshtatur. Sa i përket jetës jashtë fushës, ende nuk di shumë, por Tirana më duket një qytet i këndshëm për të jetuar dhe deri tani jam ndier mirë këtu.
Kur erdhi oferta për t’u bashkuar me një klub të Superligës shqiptare, cila ishte reagimi yt i parë? Reagimi im i parë ishte të përpiqesha të merrja informacion për klubin, për qytetin dhe të shihja nëse ky hap mund të ishte pozitiv për mua.
Para se të vije këtu, sa i njohur ishe me futbollin shqiptar dhe kush apo çfarë të ka informuar më shumë? Për të qenë i sinqertë, nuk dija pothuajse asgjë për futbollin shqiptar. Kisha luajtur vetëm një herë kundër Vllaznisë në Kupat e Europës dhe kam një mik të mirë që ka luajtur këtu, por ai nuk më dha referenca të mira nga koha e tij në Shqipëri. Më pas fillova të hulumtoja për klubin dhe qytetin, siç e përmenda më parë. Agjenti im është i njëjti me atë të Dejvi Bregut, dhe ata më dhanë shumë referenca pozitive për klubin, presidentin dhe trajnerin. Po ashtu fola edhe me Nani para se të vija, dhe të gjithë më folën shumë mirë për klubin.
Tani që e ke përjetuar nga afër kampionatin, a është niveli i garës ashtu siç e prisje? Mendoj se po, është pikërisht ajo që prisja duke u bazuar te informacionet që kisha marrë. Niveli nuk është shumë i lartë, por është një nivel i mirë, me ekipe konkurruese dhe lojtarë cilësorë. Besoj se është një kampionat në zhvillim, dhe se rezultatet e mira që ka arritur kombëtarja vitet e fundit mund t’i sjellin edhe më shumë vëmendje.
Dinamo aktualisht ndodhet në TOP 4. Cili është objektivi real që diskutohet brenda skuadrës dhe stafit teknik? Mendoj se klubi e ka thënë tashmë që objektivi është të luftojmë për titullin, dhe besoj se ky është një objektiv realist, duke respektuar të gjithë kundërshtarët dhe duke e marrë çdo ndeshje një nga një për të provuar t’i fitojmë. Por synimi kryesor është lufta për titull. Dinamo është një klub me histori trofesh dhe, si i tillë, duhet të jetë gjithmonë në garë.
Ke luajtur si qendërmbrojtës dhe si mbrojtës i djathtë. Në cilin rol ndihesh më i plotësuar dhe pse? Qendër mbrojtja është pozicioni ku ndihem më komod dhe ku mendoj se aftësitë e mia shfaqen më mirë. Si mbrojtës i djathtë, për të qenë i sinqertë, nuk ndihem rehat, por kur trajneri më vendos atje, siç është normale, përpiqem të jap më të mirën time. Por pozicioni im natyral është qendërmbrojtës; aty kam bërë gjithë akademinë, aty kam luajtur gjithmonë dhe aty ndiej se mund ta ndihmoj më shumë ekipin.
Me rikthimin e Alijit, konkurrenca në mbrojtje rritet. A je i shqetësuar për mundësinë e humbjes së vendit titullar? Jo, nuk më shqetëson. Jam i vetëdijshëm për punën që bëj çdo ditë dhe për vlerën time, dhe vetëm për këtë fokusohem, për atë që mund ta kontrolloj. Aliji gjithashtu ka shumë cilësi dhe natyrisht ndihmon skuadrën të jetë më e fortë, por kjo është vendim i trajnerit dhe nuk është diçka që mund ta kontrolloj unë. Prandaj nuk më shqetëson. Gjithmonë dua të luaj si çdo lojtar tjetër, por fokusimi im është vetëm tek puna ime e përditshme.
Nga ndeshjet e para të sezonit, cili kundërshtar ka qenë më i vështiri për skuadrën tuaj? Deri tani kemi luajtur praktikisht vetëm një herë me secilin ekip, kështu që është e vështirë të përgjigjem saktësisht, por mendoj se ndeshja me Egnatian ishte sfiduese, për shkak të stilit të tyre të lojës, i cili krijon situata të ndryshme gjatë ndeshjes dhe na detyron të jemi të përqendruar dhe të fokusuar gjithë kohën. Po ashtu, ndeshja me Elbasanin ishte e vështirë, veçanërisht sepse u detyruam të luanim për një kohë të gjatë me një lojtar më pak.
Dhe për ty personalisht, cili lojtar ka qenë më sfiduesi për t’u përballur deri tani? Siç thashë më parë, kam luajtur vetëm një herë kundër secilit ekip dhe nuk kam luajtur me të gjithë, por më pëlqeu sulmuesi i Elbasanit, Blaise. Po ashtu edhe sulmuesi i Vllaznisë, Balaj, edhe pse në atë ndeshje nuk kam luajtur si qendërmbrojtës, më dukej si një sulmues me përvojë dhe i mirë brenda zonës.
Bazuar në atë që skuadra ka treguar deri tani, a beson se Dinamo ka potencialin për të luftuar për titull deri në fund? Po, besoj se po. Kemi lojtarë me cilësi të mirë në çdo pozicion. Trajneri njeh mirë kampionatin dhe na përgatit në mënyrën më të mirë, në mënyrë që të jemi sa më afër fitoreve në çdo ndeshje që kemi përpara. Pra, po, besoj se kemi ato që duhen për të luftuar titullin.
ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL













