Rrëfim unik i legjendës së Partizanit dhe Kombëtares kuqezi! Musta, Perla(t) në portën shqiptare: Ju tregoj pengun tim… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 28, 2025 | 23:59

Rrëfim unik i legjendës së Partizanit dhe Kombëtares kuqezi! Musta, Perla(t) në portën shqiptare: Ju tregoj pengun tim… (E PLOTË)

Fëmijët e viteve ‘80-‘90 të shekullit të kaluar, ata çamarrokët këmbëzbathur dhe zhurmues të lagjes, gjunjëgjakosur dhe plot shfajësim me “gënjeshtra të bardha” në familje për t’i shpëtuar dajakut prindëror, zaptonin hapësirat rreth e rrotull pallateve të qyteteve, apo dhe tej e tërthor shtëpive të fshatit, për të luajtur futboll. Dhe aty gatuhej garë më e ashpër se në stadiumet tona.Untitled-3Secili “lojtar”, në mikrofushën e sajuar para pallateve apo dhe në lëndinat e fshatit, kishte një idhull dhe “akronimi” të lidhur me emrat e famshëm të futbollit të kohës së atëhershme. Ama, vetëm në një pikë nuk kishte kompromis: të gjithë portierët e atyre fushave, vetëquheshin ose i pagëzonin bashkëmoshatarët “Musta ynë”, madje, shumë prej atyre portierëve të lagjeve, skicuan përmes lapsave me ngjyrë apo dhe me copëza të ndryshme akllas, stof a kadife numrin “1” në kanotiere trikotazhe të asokohe, “fanella” sportive që shpesh mbahej fshehur nga prindërit, sepse “topi, topi të lë”. Sa shumë “Perlat Mustë” pati ato vite në Shqipëri!

INTERVISTA ME PERLAT MUSTËN

Përpara madhështisë së tij, porta tkurrej dhe dukej aq e vogël. Ai, i papërsëritshmi i kuadratit, emblema e gjallë e futbollit shqiptar, ish-kapiteni i Partizanit dhe i Kombëtares sonë, Perlat Musta, që dhuroi emocione të shkallës sipërore në çdo stadium e fushë të blertë ku shkeli këmba e tij. Krijoi “magji” dhe një emër të veçantë në “shkollën” e portierëve shqiptarë, duke skalitur emrin e tij në antologjinë e futbollit tonë. Sa madhështi në fushën e blertë, aq modesti në jetën e përditshme dhe po aq thjeshtësi në intervista. Dhe të gjitha këto elemente e kompletojnë posturën e tij.

MixCollage-28-Feb-2025-10-10-PM-3546

Kësaj radhe, “narracioni” i Perlat Mustës, ekskluzivisht për “Panorama Sport”, shtjellohet përmes një pyetësori cazë më detajist, por që gjiganti i portës shqiptare e gjen “çelësin” e përgjigjes, herë duke devijuar me finesë (për të mos shkaktuar qejfmbetje) dhe herë duke e shoqëruar përgjigjen eufemike me buzëqeshje përmbyllëse. Mbi të gjitha, ai mbetet PERLA(T) MUSTA, i cilësuar si numri “1” i portës shqiptare.

Pse zgjodhët portier?

Po hë pra, pse e zgjodha? (Qesh) As vetë nuk e di.

Idhulli juaj?

Sep Majer.

Portieri më i mirë sot në botë?

Janë shumë… (pauzë). Nojer, Bufon, Emiliano Martinez…

Portieri më i mirë i historisë së futbollit shqiptar?

Jani Kaçi.

Portieri shqiptar më i mirë sot?

Gentian Selmani.

Cili portier ka pasur apo ka tiparet e një Perlat Muste “të dytë”?

(Hokatar dhe duke buzëqeshur) Nuk mund të flas dot, se nuk e mbaj mend veten time.

Çfarë është Partizani për Perlat Mustën?

Gjithçka! E them gjithmonë me sinqeritet: erdha Perlat dhe Partizani më bëri Musta.

Me cilën skuadër në Shqipëri do të bënit “ole”, përveç Partizanit?

Vetëm me Flamurtarin!

Përtej titujve të certifikuar, cili ka qenë vlerësimi më mbresëlënës për Mustën?

Duartrokitjet e sportdashësve në çdo stadium, edhe nga tifozët kundërshtarë.

Zhgënjimi më i madh në jetën tuaj?

Benfika, Lisbona, 1987. Çfarë është për Mustën “Benfika 1987”?

Ajo që thashë më lart: zhgënjimi më i madh!

Trajneri më i mirë që ju ka trajnuar?

Nuk ka trajnerë të mirë apo jo të mirë, por ka trajnerë të suksesshëm dhe jo të suksesshëm. Pyetjes suaj do t’i përgjigjesha me emrin e Sherif Çiçikut, pastaj: Loro Boriçi, Shyqyri Rreli, Bejkush Birçe, Neptun Bajko etj.

Sulmuesi më i vështirë?

Nuk mund të zgjedh dot vetëm një emër edhe në këtë pyetje, sepse kam pasur fatin që kam luajtur gjatë në futbollin shqiptar, më së paku me 3-4 breza, që nga të mëdhenjtë e asokohe të Dinamos:

Shyq Ballgjini, Llaq Zëri, i ndjeri Lir Përnaska, Tit Dibra tek Tirana, te Flamurtari Vasil Ruci e Agim Bubeqi, Roland Luçi e Luan Vukatana në Shkodër, Bujar Hado në Durrës, Sefedin Braho te Luftëtari i Gjirokastrës, Kujtim Majaci i Apolonisë, Dash Bajaziti te Besa, Dhimitraq Xhambazi dhe Milutin Kërçiçi në Korçë, Tafani e Luniku në Elbasan, Vladimir Skuro te Naftëtari, Përparim Kovaçi në Berat etj., etj., gjer te brezi i Sokol Kushtës. Ndjesë për shumë sulmues me emër që nuk përmenda!

Frikë nga ndonjë lojtar kur e kishit përballë nga 11 metra?

Frikë nga askush, respekt për të gjithë. Më pyeti dikush para pak kohësh: “Pse nuk ka portierë të mirë sot?” dhe unë iu përgjigja: “Portierë ka, por nuk ka lojtarë aq të mirë si dikur në kohët tona!”.

Me cilin mbrojtës te Partizani është ndier më i sigurt Perlat Musta?

Te Partizani gjithmonë kemi pasur mbrojtës shumë të mirë në kohën që kam luajtur unë. Përveç Safet Berishës, unë po veçoj dhe dy “universalë”, do t’i quaja, sepse mund të luanin në çdo pozicion: Petraq Sava dhe të ndjerin Arjan Ahmetaj.

Po në Kombëtare?

Mujo Targaj, Kristaq Eksarko, Arjan Ahmetaj, Ferit Rragami…

Cilët janë miqtë më të mirë të Perlat Mustës sot?

Të gjithë miqtë e sinqertë që kam pasur në të shkuarën e largët dhe të afërt.

Në arenën ndërkombëtare, tifoz me?

Gjermaninë dhe Bajernin, pastaj edhe me Interin.

E keni toleruar Gjermaninë kur keni luajtur kundër saj?

Hëm… Lëre me pikëpyetje (qesh).

Cilin derb keni shijuar më shumë: Partizani-Dinamo apo Partizani-17 Nëntori (Tirana)?

Eh, çfarë gare atëherë! Të gjitha ishin të forta, por, normale që me Tiranën, sepse kishte më shumë tifozë. Ka qenë me periudha gjendja e skuadrave, por më e ndjekura përherë ka qenë Partizani-17 Nëntori.

Cili është vlerësimi i Perlat Mustës për Perlat Mustën?

(Qesh) Nuk e njoh…. Le të flasin të tjerët…

Sekreti i sekretit të mbrojtjes së portës?

Sekret…

Ushtarak apo sportist?

Secila veç e veç e të dyja së bashku. I bashkon disiplina.

Një hile juaja në një ndeshje dhe kur…

Po ju citoj një shprehje të madhit Bejkush Birçe: “Kush gënjen më shumë, fiton lojën!”. Gënjeshtra “të bardha” sportive, që nuk quhen hile apo, thënë ndryshe “gënjeshtra të zeza”. Kam qenë dhe kemi qenë të ndershëm në këtë drejtim (qesh).

Formacioni ideal i Partizanit të kohës suaj?

Mos ma kërkoni! Kam luajtur me shumë breza dhe… ndoshta më duhet të bëj 4 formacione, e kam mirëkuptimin tuaj dhe të lexuesit, besoj.

Pengu juaj?

Që nuk vesha fanellën e Flamurtarit.

Pjata juaj e preferuar?

Nuk mbaj më dietë. Jemi bërë “llupësa”, ndaj dhe kemi vënë shëndet (qesh). Jam lab!

Pija juaj e preferuar?

Edhe këtu jam lab! (qesh). Por nuk e pimë me “opingë”, jo…

Futbolli dje apo sot?

Çdo gjë evoluon, por neve na duket më mirë futbolli “ynë”, ai i djeshmi.

Skuadra më e mirë sot në Shqipëri?

Ajo që do të dalë kampione.

Pasioni juaj përtej futbollit?

Thuajse të gjitha sportet. I ndjek të gjitha dhe shumë prej tyre i kam luajtur vetë, si volejbollin, basketbollin etj.

Nëse do të ktheheshit pas në kohë, në aspektin sportiv, çfarë do të korrigjonit?

E sotmja e qorton të djeshmen. Po ju përgjigjem me atë që thotë populli: “Më bëni edhe njëherë nuse, pa di unë si nusëroj!” (qesh).

Vlora për Perlat Mustën?

Eh, Vlora, Vlora me histori, Vlora e Flamurit, Vlora e Shqipërisë, Vlora ime, Vlora e të gjithëve! Është ajo kënga “Moj Vlorë e bukur në gropë”, që mua më rrëqeth, sidomos kur shoh Nderin e Kombit, Artistin e Popullit, Kadri Roshi, në filmin “Ballë për ballë”, teksa e këndon në rolin e Belul Gjenomadhit.

BUJAR RAMA-PANORAMASPORT.AL