SOT, ORA 20:45/ Egnatia bëhet me “krahë” në prag të transfertës në Bjellorusi, federohen dy blerjet e fundit
Kampionët e Shqipërisë kanë marrë një lajm të rëndësishëm para sfidës delikate në Bjellorusi, ndaj Dinamos së Minskut.
Egnatia ka kompletuar krahët e mbrojtjes me dy përforcime cilësore, që tashmë janë edhe zyrtarisht pjesë e skuadrës: spanjolli Guliem Jaime dhe braziliani Xheferson kanë firmosur kontrata dyvjeçare me klubin nga Rrogozhina dhe janë gati të debutojnë në arenën europiane. Të dy lojtarët kanë qenë prej disa ditësh në stërvitje me skuadrën dhe janë integruar gradualisht në filozofinë e trajnerit Edlir Tetova.
Firmat kanë ardhur në momentin e duhur, në një kohë kur Egnatia ka shumë mungesa dhe grupin e cunguar për sfidën e raundit të dytë të Conference League. Duke parë situatën, nuk përjashtohet mundësia që të dy të kenë minuta në Bjellorusi, qoftë edhe për të ndihmuar në balancat fizike dhe mbrojtëse të skuadrës. Guliem Jaime, një mbrojtës i krahut të djathtë, i rritur në akademinë e Barcelonës dhe me eksperiencë në disa skuadra në Spanjë, vjen si një alternativë me shumë ritëm dhe saktësi në pasime.
Nga ana tjetër, Xheferson, i cili ka luajtur në kampionatin brazilian dhe më pas në Europë, sjell forcë fizike dhe aftësi në një përballje “1 me 1”. Me pak fjalë, më në fund Tetova i ka në dispozicion dy mbrojtësit e krahut që vijnë si alternativa të Fangajt me Ndrecën. Mungesat e shumta që kanë karakterizuar Egnatian, sidomos në ndeshjet me Breidablikun, kanë rritur nevojën për alternativa të shpejta.
Me dy krahët tashmë të kompletuar, Tetova mund të marrë frymë më lirshëm në ndërtimin e formacionit për përballjen në Minsk. Situata nuk është ideale, por afrimet e fundit japin më shumë qetësi dhe krijojnë hapësira për eksperimente taktike që mund të bëjnë diferencën.
PANORAMASPORT.AL













