Tomas Myler nuk kursen kritikat ndaj Nagelsmanit para Botërorit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 10, 2026 | 14:10

Tomas Myler nuk kursen kritikat ndaj Nagelsmanit para Botërorit

Kritikat ndaj trajnerit të Gjermanisë, Julian Nagelsman, vazhdojnë pa pushim pak para fillimit të Kupës së Botës.

myler

Edhe Tomas Myler, i cili ka punuar me të si te kombëtarja gjermane ashtu edhe te Bajerni, nuk u shfaq i impresionuar nga mënyra e komunikimit të trajnerit. Mes debatit për portierin titullar të kombëtares gjermane, Myler do të kishte preferuar një qasje tjetër nga Nagelsman. 38 vjeçari vendosi vetëm pak para turneut të ndryshonte zgjedhjen mes shtyllave, duke rikthyer Manuel Nojer në vend të Oliver Bauman, i cili ishte konsideruar më parë si zgjedhja kryesore.

“Diskutimi u fry shumë më tepër seç duhej, sepse nga pikëpamja e komunikimit situata ishte e diskutueshme”, deklaroi Myler duke kritikuar drejtpërdrejt stilin e Nagelsmanit. Megjithatë, fituesi i Kupës së Botës 2014 theksoi se zgjedhja e trajnerit ishte “e kuptueshme nga aspekti sportiv”. Sipas Mylerit, ajo që e dallon ende Nojerin është “pozicionimi” dhe “loja me këmbë”.

Ai shtoi: “Sidomos në ndeshjen e kthimit kundër PSG, ai bëri dy ose tre pritje të jashtëzakonshme. Kjo tregon se, sipas mendimit tim, kur ndihet mirë fizikisht, ai vazhdon të duket më i miri në portë.” Ditët e fundit, shumë ekspertë kanë kritikuar Nagelsmanin për vendimin e tij të diskutueshëm, mes tyre edhe ish-portierja e Gjermanisë, Almuth Shult.

“Në turnetë e fundit, dhe kjo nuk duhet harruar, Nojer nuk ka qenë faktori vendimtar që e ka shpëtuar kombëtaren gjermane nga eliminimi”, kujtoi 35 vjeçarja. “Edhe pse Nojer mbetet portieri më i mirë në botë kur arrin nivelin e tij maksimal, ky sezon ka treguar se ai nuk po luan vazhdimisht në standardin e tij më të lartë.” Edhe legjenda e portës gjermane, Uli Shtajn, shprehu një mendim kritik.

Sipas tij, “objektivisht”, paraqitjet e Nojerit në Kupën e Botës 2022 në Qatar “nuk ishin më të nivelit më të lartë”, ndërsa performancat e tij në Kampionatin Europian të organizuar në vendlindje dy vite më vonë nuk kanë qenë më të mira.

KLAJDI BAJO – PANORAMASPORT.AL