“Ka diçka që nuk shkon te Vllaznia”, Rudi Vata kritikon kuqeblutë: Duhej të ishte “top” në “Final 4” por i zhgënjeu të gjithë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 10, 2026 | 9:07

“Ka diçka që nuk shkon te Vllaznia”, Rudi Vata kritikon kuqeblutë: Duhej të ishte “top” në “Final 4” por i zhgënjeu të gjithë

Në një prononcim për “Panorama Sport” ka folur së fundmi ish-futbollisti i Vllaznisë, Rudi Vata. Në fjalët e tij ish-mbrojtësi dhe kapiteni i kombëtares shqiptare u ndal tek sezoni i përfunduar tashmë i Superiores, ku për kuqeblutë shprehet se verdiktet finale ishin zhgënjyese.

rudi vata

Duke hedhur poshtë gjithë punën e mirë që ishte bërë gjatë sezonit, teksa thekson se klubi duhet të analizojë edicionin e mbyllur dhe nxjerrë mësimet e duhura. Ndërsa shkodrani po ashtu thotë se ekipi s’ka kohë për të humbur e fokusi duhet të jetë tek merkato e Conference League në mënyrë që Vllaznia të ndërtojë një ekip sa më konkurues për sezonin që vjen të Superiores.

Vllaznia e mbylli e treta dhe vetëm me një kualifikim në Conference League, mjaftueshëm?
Realisht e kam të vështirë të flas për Vllazninë në këto momente, pasi gjatë gjithë sezonit kemi thënë në intervista e studio të ndryshme që është ekipi pretendent për titullin kampion. Dhe realisht ashtu dukej deri para ndeshjeve të “Final 4”, ku udhëhoqi kampionatin me meritë, duke treguar potencialin e saj. Por në momentin më vendimtar të sezonit nuk arriti të shfaqte atë që duhej, pasi vetë formula tregonte se skuadra duhej të ishte në “top” në “Final 4”. Por, nuk ishte dhe nuk e kuptoj se çfarë ndodhi realisht, e kjo situatë ka zhgënjyer këdo në Shkodër, jo vetëm tifozët. Por edhe analistët, ish-futbollistët, ekipin e futbollistët e saj, stafin e po ashtu presidencën e Vllaznisë.

Çfarë nuk shkoi me skuadrën?
Atë duhet ta analizojnë aktorët e sezonit, futbollistët, stafi teknik dhe presidenca. Çfarë nuk shkoi me ekipin dhe të sqarojë edhe opinionin që ishte aq entuziast dhe aq i gatshëm për kthimin e titullit kampion. Por në fund skuadra zhgënjeu e këtu ka patjetër diçka që nuk shkon. Megjithatë analizën e saktë e bëjnë ata që janë brenda strukturave, ku edhe duhet të mbahen përgjegjësitë përkatëse.

INTERVISTËN E PLOTË MUND TA LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS PANORAMA SPORT

ENDRI ÇINARI – PANORAMASPORT.AL