EKSKLUZIVE/ Dinamo u përgjigjet sulmeve të rivalëve, bllokon largimin e tre lojtarëve që kërkoheshin në Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 10, 2026 | 8:48

EKSKLUZIVE/ Dinamo u përgjigjet sulmeve të rivalëve, bllokon largimin e tre lojtarëve që kërkoheshin në Superiore

Dinamo ka nisur prej kohësh punën për ndërtimin e skuadrës së sezonit të ri, me objektivin për të ruajtur grupin që siguroi fitimin e Kupës së Shqipërisë dhe kualifikimin në Ligën e Konferencës.

FOTO: LSA

FOTO: LSA

Pas marrëveshjeve të arritura me disa prej lojtarëve kryesorë të ekipit, drejtuesit blu kanë marrë tashmë një tjetër vendim të rëndësishëm për vazhdimësinë e projektit. “Panorama Sport” ka mësuar se klubi ka vendosur të aktivizojë opsionin e rinovimit të kontratave për tre futbollistë të rëndësishëm të skuadrës, Lorenco Vilën, Eridon Qardakun dhe Bekim Maliqin.

Të tre lojtarët kishin të përfshirë në kontratat e tyre një klauzolë që i jepte të drejtën Dinamos të zgjaste bashkëpunimin edhe për një sezon tjetër dhe drejtuesit kanë vendosur ta ushtrojnë këtë opsion. Në këtë mënyrë, Dinamo siguron edhe për të paktën një vit tre elementë që kanë pasur rol të rëndësishëm në skuadrën e Ilir Dajës gjatë sezonit të fundit. Më pas, në përfundim të kontratave të reja, palët do të vendosin për vazhdimësinë.

LORENCO VILA- Ndër emrat më të rëndësishëm që do të vazhdojnë të jenë pjesë e Dinamos është padyshim Lorenco Vila. Sulmuesi anësor ishte një nga futbollistët më të aktivizuar gjatë sezonit dhe njëkohësisht ndër golashënuesit më të mirë të skuadrës blu, edhe pse shumë pak është aktivizuar në rolin e tij natyral, pasi Daja ka preferuar ta mbajë si mesfushor.

Paraqitjet e tij të qëndrueshme nuk kanë kaluar pa u vënë re edhe nga klubet e tjera të Superiores. Për Vilën ka pasur interes konkret nga Teuta, e cila ka monitoruar situatën e tij gjatë javëve të fundit. Megjithatë, me aktivizimin e opsionit të rinovimit nga ana e Dinamos, çdo lëvizje mbetet aktualisht vetëm në kuadrin e interesimit, pasi lojtari do të jetë pjesë e projektit blu edhe për sezonin e ri.

ERIDON QARDAKU- Një tjetër futbollist që do të vazhdojë aventurën te Dinamo është Eridon Qardaku. Mesfushori ka qenë një nga surprizat pozitive të sezonit, sidomos pas transformimit të tij në aspektin taktik. Ilir Daja i besoi një rol të ri para mbrojtjes, duke e aktivizuar si mesfushor shkatërrues dhe organizator të fazës së parë të lojës.

Qardaku iu përgjigj në mënyrën më të mirë këtij ndryshimi, duke fituar rëndësi të madhe në ekuilibrat e skuadrës Për mesfushorin nuk kanë munguar sinjalet nga tregu. Vllaznia ka shfaqur interes për shërbimet e tij, por Dinamo nuk ka ndërmend të heqë dorë nga një prej lojtarëve që konsiderohet pjesë e rëndësishme e planeve të trajnerit për sezonin e ardhshëm, duke rinovuar edhe për një sezon tjetër.

BEKIM MALIQI- Po aq i rëndësishëm konsiderohet edhe qëndrimi i Bekim Maliqit. Mbrojtësi i djathtë ka qenë ndër futbollistët më të spikatur të Dinamos në dy sezonet e fundit dhe një nga lojtarët më konstantë në repartin defensiv. Megjithatë, sezoni i tij u ndërpre në mënyrë të parakohshme në muajin janar, kur pësoi këputje të ligamentit, një dëmtim serioz që e detyroi të largohej nga fushat e blerta për një periudhë të gjatë.

Aktualisht Maliqi vijon procesin e rikuperimit dhe nuk do të jetë në dispozicion të skuadrës për ndeshjet europiane. Gjithsesi, parashikimet janë optimiste dhe mbrojtësi pritet të jetë gati në fillimin e kampionatit të ri të Superiores, duke iu bashkuar sërish grupit të Ilir Dajës.

RINOVIMET- Vendimi për Vilën, Qardakun dhe Maliqin vjen në një moment kur Dinamo po punon intensivisht për të mbyllur edhe dosje të tjera të rëndësishme. Dejvi Bregu dhe Naser Aliji kanë gjetur gjuhën e përbashkët me drejtuesit për vazhdimin e bashkëpunimit, ndërsa më herët klubi kishte siguruar edhe qëndrimin e kapitenit Bruno Dita dhe portierit Aldo Teqja. Ruajtja e bërthamës së skuadrës konsiderohet prioritet absolut për drejtuesit, të cilët synojnë të paraqiten sa më konkurrues si në kampionat, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.

NË DILEMË- Megjithatë, jo të gjitha situatat janë mbyllur. Në kampin blu vazhdojnë të mbeten në diskutim disa emra, teksa klubi po shqyrton me kujdes çdo vendim. Andre Teikseira është një prej rasteve më të ndërlikuara. Mbrojtësi portugez ka kërkuar më shumë kohë për të vendosur për të ardhmen e tij dhe deri tani nuk ka një përgjigje përfundimtare për rinovimin.

Po ashtu, e paqartë mbetet edhe situata e disa futbollistëve të tjerë që janë në përfundim kontrate. Një tjetër dosje që duket drejt mbylljes është ajo e Ledio Beqjes. Dinamo nuk pritet të aktivizojë klauzolën për blerjen përfundimtare të kartonit të mesfushorit, duke pasur parasysh investimin e konsiderueshëm ekonomik. Nëse nuk ka ndonjë zhvillim të papritur, lojtari do të rikthehet te klubi që zotëron kartonin e tij