EKSKLUZIVE/ Flamurtari ka luksin e zgjedhjes për pankinën, ish-trajneri i Partizanit dhe ai që e mbylli sezonin me trofe rivalizojnë Gjokën
Flamurtari është i destinuar që të bëjë revolucion në prag të sezonit të ri, që vjen pas dështimit spektakolar në Superiore.

Vlonjatët janë në bisedime me Oltijon Kërnajën për stolin e skuadrës. Lajmi mësohet ekskluzivisht nga “Panorama Sport”. Kuqezinjtë po vijojnë punën për ndërtimin e ekipit të sezonit të ri, ndërsa një nga çështjet më të rëndësishme që pritet të marrë zgjidhje në ditët në vijim është emërimi i trajnerit të ri. Drejtuesit e klubit po shqyrtojnë disa alternativa për stolin kuqezi, me synimin për të gjetur profilin e duhur që do të udhëheqë ekipin drejt objektivit madhor, rikthimin në elitën e futbollit shqiptar.
Orët e fundit kanë sjellë zhvillime interesante, pasi një nga emrat më të kuotuar duket se është ai i Oltijon Kërnajës. Trajneri 37-vjeçar nga Tropoja konsiderohet si një nga kandidaturat më serioze për të marrë drejtimin e Flamurtarit dhe kontaktet mes palëve kanë nisur prej disa ditësh. Kërnaja përfaqëson një profil të ri në futbollin shqiptar, por me një eksperiencë që është pasuruar ndjeshëm vitet e fundit.

Ai drejtoi si trajner i parë Partizanin gjatë sezonit 2025-2026, ndërsa më herët ka qenë trajner i Partizanit B. Gjithashtu, ai ka punuar si zëvendëstrajner te Laçi dhe Kukësi, duke fituar përvojë pranë stafeve teknike të klubeve me pretendime në Superiore. Karriera e tij përfshin edhe eksperienca te Valbona, Luzi dhe Tërbuni, skuadra ku ka treguar aftësi në menaxhimin e grupeve dhe zhvillimin e futbollistëve të rinj. Pikërisht kombinimi i energjisë, ambicies dhe njohjes së mirë të kampionatit shqiptar e bën Kërnajën një alternativë tërheqëse për drejtuesit vlonjatë.
VETËOFRIMI – Kërnaja nuk është emri i vetëm që po diskutohet në ambientet e klubit. Në Vlorë ka mbërritur edhe një tjetër kandidaturë, ajo e trajnerit kosovar Naxhi Shensoj. Burimet bëjnë të ditur se tekniku kosovar është vetëofruar për të marrë drejtimin e Flamurtarit, duke shfaqur gatishmërinë për të nisur një aventurë të re në futbollin shqiptar. Shensoj nuk është një emër i panjohur për kampionatin tonë.

Ai ka drejtuar më parë Laçin, ndërsa ka qenë gjithashtu në stolin e Bylisit dhe Kukësit. Përvoja e tij shumëvjeçare në futbollin e rajonit dhe njohja e mirë e realitetit shqiptar përbëjnë elementë që mund të peshojnë në favor të tij, nëse drejtuesit vendosin t’i japin besimin.
PISTA GJOKA DHE SITUATA – Një tjetër pistë që mbetet e hapur është ajo e Ernest Gjokës. Trajneri tiranas vazhdon të përmendet si një nga alternativat më të forta për stolin kuqezi dhe emri i tij po shqyrtohet seriozisht nga drejtuesit e klubit. Rikthimi i Gjokës në Vlorë do të kishte një simbolikë të veçantë, pasi ai do të ulej sërish në stolin e Flamurtarit pas 12 vitesh.
Tekniku 56-vjeçar ka një histori të rëndësishme me klubin vlonjat, ku ka punuar në një periudhë të veçantë për skuadrën. Përvoja e tij në futbollin shqiptar e mban në qendër të diskutimeve. Burime pranë klubit bëjnë të ditur se drejtuesit po analizojnë me kujdes çdo alternativë, pasi vendimi për trajnerin konsiderohet kyç për projektin e sezonit të ardhshëm. Flamurtari synon të ndërtojë një skuadër konkurruese dhe të luftojë që në javët e para për objektivat madhorë, ndaj zgjedhja e trajnerit do të ndikojë drejtpërdrejt edhe në lëvizjet që do të bëhen në merkato.
Për momentin nuk ka ende një vendim përfundimtar, por Oltijon Kërnaja, Naxhi Shensoj dhe Ernest Gjoka mbeten tre emrat kryesorë që po qarkullojnë në ambientet e klubit. Ditët e ardhshme pritet të jenë vendimtare për të mësuar se kush do të marrë timonin e Flamurtarit në sezonin e ri, në një vit ku presioni dhe pritshmëritë e tifozëve vlonjatë janë më të larta se kurrë.
ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL













