FUTBOLL FEMRA/ Triumf historik, Shqipëria “zbërthen” 5-2 Malin e Zi dhe kalon në play-off të Botërorit
Kombëtarja e vajzave shkroi një tjetër faqe të rëndësishme në historinë e saj, duke triumfuar me rezultatin 5-2 ndaj Malit të Zi në stadiumin “Loro Boriçi” dhe duke siguruar kualifikimin në raundin e parë të “play off”-it të kualifikueseve të Botërorit 2027.

Vajzat kuqezi zhvilluan një paraqitje të shkëlqyer nën drejtimin e trajnerit Armir Grima, duke përmbysur rezultatin dhe duke dominuar takimin përballë tifozëve shqiptarë. Megi Doçi me dopietë, Fortesa Berisha, Gresa Berisha dhe Arbiona Bajraktari ishin autoret e golave.
Shqipëria e nisi ndeshjen në sulm dhe rrezikoi portën kundërshtare që në minutën e katërt, ku goditja e Fortesa Berishës u ndal nga traversa. Vajzat kuqezi vazhduan të ushtronin presion dhe krijuan raste të tjera të mira shënimi, por pa mundur të finalizonin me sukses. Nga ana tjetër, malazezet kaluan në avantazh në minutën e 20-të me Desic.
Reagimi i skuadrës sonë ishte i menjëhershëm, teksa kapitenia Megi Doçi u shfaq para portës duke kontrolluar një top të gjatë, por u pengua nga portierja kundërshtare. Gjyqtarja akordoi penallti në favor të Shqipërisë dhe ndëshkoi me karton të kuq portieren malazeze. Doçi nuk gaboi nga pika e bardhë dhe në minutën e 22-të riktheu baraspeshën në rezultat, 1- 1. Megjithatë, edhe pse me një lojtare më pak, në minutën e 45-të ishin sërish malazezet ato që gjetën golin, duke u rikthyer në avantazh 1-2. Por, pak çaste më vonë Fortesa Berisha riktheu ekuilibrat vonë pas një aksioni model të ndërtuar nga Megi Doçi, duke barazuar në 2-2, rezultat me të cilin u mbyll edhe pjesa e parë.
E dyta nisi me Shqipërinë më kërkuese dhe dominuese në lojë, me vajzat kuqezi që kontrolluan ritmin e takimit dhe krijuan vazhdimisht situata të rrezikshme përpara portës kundërshtare. Goli i përmbysjes erdhi në minutën e 63-të, kur kapitenia Megi Doçi provoi nga distanca dhe gjeti rrjetën me një goditje të bukur, duke befasuar portieren dhe mbrojtjen malazeze.
Dominimi i skuadrës së Armir Grimës vazhdoi, ndërsa në minutën e 67-të, Gresa Berisha shënoi golin e katërt për Shqipërinë pas një asisti elegant të Ezmiralda Franjës, duke i dhënë skuadrës një avantazh të rëndësishëm 4-2. Vetëm tri minuta më vonë, vajzat kuqezi shënuan sërish. Këtë herë ishte mbrojtësja Arbiona Bajraktari që gjeti rrjetën pas një tjetër asisti të saktë nga Ezmiralda Franja, duke vulosur rezultatin përfundimtar 5-2 dhe një mbrëmje të paharrueshme për Kombëtaren shqiptare të vajzave.

Falë kësaj fitoreje, Shqipëria siguron kualifikimin në raundin e parë të “play off”-it të kualifikueseve të Botërorit 2027 për vajza, si dhe konfirmon qëndrimin në Ligën B, duke vendosur një rekord të ri me 7 pikë në një grup të Ligës B.
PANORAMASPORT.AL













