Ferrari humbi Antonelin, Arrivabene zbulon arsyet
Vetëm pak muaj i janë mjaftuar An drea Kimi Antonelit për t’u shndërruar në një nga simbolet e sportit italian në arenën ndërkombëtare. Pas suksesit të jashtëzakonshëm në Monako, mes tifozëve është rikthyer një pyetje e zakonshme: si mundi Ferrari ta humbiste një talent të tillë?

Përgjigjja është e thjeshtë. Mercedes besoi dhe investoi te Antoneli që kur ishte fëmijë, duke dalluar tek ai një talent të rrallë që në ditët e para të garave me karting. Kështu, skuadra gjermane hodhi poshtë edhe mitin se për të arritur në nivelet më të larta të automobilizmit apo motoçiklizmit duhet domosdoshmërisht të shpenzosh shuma të mëdha. Megjithatë, edhe Ferrari e kishte vënë re këtë djalosh premtues.
Atëherë, pse sot ai garon dhe fiton me “Shigjetat e Argjendta”? Përgjigjen më të qartë e ka dhënë Mauricio Arrivabene, i cili në atë kohë drejtonte skuadrën e Ferrarit. “Në vitin tim të fundit te Ferrari, në 2018-ën, Antoneli ishte vetëm 10 ose 11 vjeç. Në atë periudhë, Ferrari nuk kishte ende strukturën e nevojshme për t’u marrë me pilotë kaq të rinj. Po flas jo si shef skuadre, por në nivel organizativ të kompanisë.
Për më tepër, te Ferrari gjërat janë pak më të ndërlikuara se në skuadrat e tjera. Duhet kuptuar konteksti. Edhe sot nuk do të ishte e lehtë të nënshkruaje me një talent 11-vjeçar, siç është për shembull Robin, djali i Kimi Raikonen”, deklaroi Arrivabene për “Quotidiano Nazionale”. Por historia nuk mbaron këtu, pasi në diskutim hyn edhe emri i Sharl Lëklerk. “Përveç kësaj, në vitin 2018 ne ishim të përqendruar te promovimi i Lëklerkut në Formula 1 me Ferrarin, dhe edhe ai vendim nuk ishte i lehtë. Jo të gjithë ishin dakord. Disa mendonin se ai ishte shumë i ri për Ferrarin. Gjithsesi, duke qenë se Antoneli është vetëm 19 vjeç dhe ka një talent të jashtëzakonshëm, besoj se ai do të ketë gjithë kohën për të fituar titullin botëror edhe me Ferrarin”, përfundoi Arrivabene. Ndoshta, një ditë, duke zënë vendin që dikur iu besua edhe Hamiltonit…
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL













