Kapiteni e mbyll aventurën me “Demat e Kuq”, kërkesa nga Superiorja dhe Kategoria e Parë
Fernando Ndrejaj, i cili udhëhoqi Partizanin B si kapiten gjatë sezonit të kaluar, ka mbyllur aventurën me klubin e kuq. Mesfushori dha maksimumin për të ndihmuar skuadrën në objektivat e saj dhe tani është gati për një hap të ri në karrierë. Pas largimit nga Partizani, për shërbimet e tij flitet se kanë shfaqur interes klube të Superiores dhe të Kategorisë së Parë.

Ndrejaj vjen pas një sezoni pozitiv me Partizani B, si dhe pati mundësinë të spikaste në dy ndeshje me ekipin e parë në Superiore. Futbollisti synon të ngjitet në nivele më të larta dhe beson se eksperienca te Partizani e ka ndihmuar të fitojë pjekurinë e nevojshme si profesionist. Ai shprehet krenar që mbajti shiritin e kapitenit te Partizani B. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Ndrejaj deklaroi: “Ishte një kënaqësi dhe privilegj që klubi i Partizanit më besoi drejtimin e skuadrës së dytë në rolin e kapitenit. Ishte një detyrë e vështirë, por njëkohësisht shumë e bukur, pasi mbarta përgjegjësi të mëdha brenda ekipit.
Arritëm të zhvillonim një kampionat të mirë, edhe pse nuk ia dolëm të siguronim ngjitjen në Kategorinë e Parë. Ky ishte një sezon fantastik për mua, sepse te Partizani arrita një pjekuri të madhe si futbollist. Kjo eksperiencë shërbeu si një shkollë e vërtetë pjekurie në zhvillimin tim. Tashmë e kam mbyllur gjithçka me Partizanin dhe jam duke shqyrtuar me kujdes të ardhmen time. Kam oferta nga dy klube të Superiores dhe një nga Kategoria e Parë. Për momentin nuk dua t’i përmend emrat, pasi bisedimet janë ende në zhvillim dhe po analizoj projektet sportive, si edhe ofertat që më janë paraqitur”.
ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL













