Sokol Mziu në prag të sezonit të 20-të: Korabi është zemra ime, nuk plaket një luftëtar i vërtetë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 13, 2025 | 15:40

Sokol Mziu në prag të sezonit të 20-të: Korabi është zemra ime, nuk plaket një luftëtar i vërtetë

Në prag të sezonit të ri, kapiteni i Korabit, Sokol Mziu, për “Panorama Sport” rrëfen eksperiencën e tij të pasur prej afro dy dekadash në futbollin shqiptar, duke ndarë mendimet për diferencat mes niveleve, sfidat e karrierës, lidhjet e forta me klubin e zemrës dhe planet për të ardhmen.

sokol mziu

Në fund, Sokol Mziu shfaq një pasion të papërkulur dhe një besim të fortë për të ardhmen e tij dhe të Korabit, duke treguar se për një luftëtar të vërtetë, mosha është thjesht një numër.

Jeni në prag të sezonit të 20-të futbollistik, me eksperiencë në të gjitha kategoritë. Si e shihni kategorinë e parë në krahasim me Superligën?

Në karrierën time kam luajtur 14 sezone në Kategorinë e Parë, 3 në Superiore dhe 3 në Kategorinë e Tretë. Kategoria e Parë ka një futboll më fizik dhe direkt, ndërsa në Superiorje loja është më tekniko-taktike dhe me më shumë cilësi.

Jeni dibran, por jeni lidhur edhe me Kukësin. Ku ndiheni më shumë në zemër?

Jam dibran, lindur e rritur në Mamurras, edhe pse në certifikatën time të lindjes për shkak të një gabimi është shkruar Kukës. Megjithatë, Kukësin e kam për zemër pasi aty kam kaluar dy sezone të paharruara (2011-2013), ku arritëm deri në turin e katërt të Europa League dhe u shpallëm nënkampionë të Shqipërisë.

Si kanë qenë marrëdhëniet tuaja me drejtuesit e klubeve ku keni luajtur?

Kam pasur marrëdhënie shumë të mira me presidentët, trajnerët, lojtarët dhe tifozët e të gjitha klubeve. Sidomos me Korabin kam lidhje të forta, jo vetëm si kapiten, por edhe për shkak të origjinës time.

Cilin klub do të konsideronit si më të preferuarin?

Korabi është klubi im më i dashur, për shkak të viteve që kam kaluar në Peshkopi dhe lidhjes së veçantë që kam me qytetin. Por kam respekt dhe dashuri edhe për të gjitha klubet e tjera që më kanë formuar si futbollist.

Cilat janë momentet më të mira dhe më të vështira në karrierën tuaj?

Nga momentet më të mira përmend ngjitjet e skuadrave Kamza, Mamurras, Kukës, Tërbuni, Korabi dhe Kastrioti në kategori më të larta. Më mbetet në mendje gjithashtu titulli nënkampion me Kukësin dhe kalimi në turin e katërt të Europa League. Ndërsa momenti më i dhimbshëm ishte rënia e Korabit nga Superiorja, diçka që klubi nuk e ka kapërcyer ende plotësisht.

Jeni 38 vjeç, a ndiheni se koha për t’u larguar po afron?

Mosha nuk më ndalon. Kur luaj për Korabin, energjia dhe forca ime nuk ndryshojnë nga të rinjtë. Jam gati të jap gjithçka edhe nëse më duhet të luaj për një minutë vetëm, për të ndihmuar ekipin.

Cilat janë objektivat për Korabin këtë sezon?

Korabi po përgatitet për sezonin e 10-të në Kategorinë e Parë, me ambicie për t’u renditur në vendet e larta të tabelës. Edhe pse kemi një ekip të ri, do të bëjmë maksimumin për të qenë konkurrues.

Si e shikoni kampionatin dhe cilat ekipe do jenë pretendentë apo të rrezikuar?

Këtë sezon pres një garë shumë të fortë, pothuajse një “mini-Superligë” me shumë klube me histori dhe emër. Gara do jetë e ashpër, si për ngjitjet, ashtu edhe për mbijetesën.

Si arrini të balanconi karrierën me jetën familjare?

Familja është themeli im. Pa mbështetjen e tyre nuk do të kisha pasur një karrierë kaq të gjatë. Ata kanë sakrifikuar shumë dhe më kanë dhënë forcë për të vazhduar.

ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL