Skënderbeu luan ndeshjen vendimtare, Gjoka: Kampionët të vështirë, ne duam pikë në Rrogozhinë
Skënderbeu luan sot një nga dy ndeshjet më të rëndësishme të sezonit. Në transfertë kundër Egnatias, Skënderbeu do të kërkojë një rezultat të vlefshëm për të mos pasur problemet dhe dhimbjet e kokës për sa i përket mbijetesës.

Një ndeshje që do të jetë tejet e fortë për bardhekuqtë, pasi luajnë ndaj ekipit kryesues. Për këtë arsye stafi bardhekuq po kërkon përqendrim maksimal nga ekipi në përgatitje të këtij takimi. Në prononcimin para ndeshjes me Egnatian, trajneri Ernest Gjoka ka theksuar rëndësinë e këtij takimi dhe përqendrimin e skuadrës për të marrë rezultat pozitiv në këtë ndeshje tejet përcaktuese për fatet e skuadrës dy javë nga fundi i sezonit.
“Kemi punuar të përqendruar për këtë ndeshje që pas barazimit në shtëpi me Tiranën. Nuk kemi marrë në total dy javët e fundit, por ndeshje nga njëra në tjetrën, pasi çdo ndeshje ka specifikën e saj. Ndaj duhet të shohim çdo ndeshje si një ndodhi e veçantë për të qenë të përqendruar vetëm tek angazhimi i radhës. Po mendojmë për Egnatian që është një transfertë delikate dhe e vështirë, pasi luajmë përballë ekipit kryesues dhe kampionëve në fuqi. Do të duhet të bëjmë një ndeshje të mirë përballë tyre dhe të jemi të përqendruar në maksimum me qëllim që të tregojmë të gjithë potencialin tonë.
Vijmë nga një seri rezultatesh pozitive dhe kjo është një plus për ne në aspektin psikologjik. Por duhet që këtë moral pozitiv ta vëmë në shërbim të asaj që duam të arrijmë. Kjo është një ndeshje që nuk duam ta humbim dhe do të mundohemi të bëjmë më të mirën për të marrë maksimumin e mundshëm. Më pas do të jetë fusha ajo që do të vendosë se çfarë kemi merituar në bazë të paraqitjes që do të bëjmë”, theksoi fillimisht Ernest Gjoka.
EKIPI – I ndalur më pas tek gjendja e ekipit dhe situata në kampin korçar para kësaj ndeshjeje, Gjoka u shpreh i bindur se ka elementët e duhur për të bërë ndryshimet e nevojshme në ekip në bazë të mungesave në mënyrë që skuadra të jetë sërish në maksimumin e saj.

“Kemi mungesën e Dokës dhe Estrelës që janë dy lojtarë të rëndësishëm për ne. Në ekip kemi një grup të mirë futbollistësh që mund të zbresin në fushë nga minuta e parë dhe të bëjnë po kaq mirë. Jemi duke menduar bashkë me stafin se cila do të jetë zgjidhja më e saktë për këtë takim dhe do të vendosim së bashku për të hedhur nga minuta e parë formacionin më të mirë të mundshëm”, përfundoi Ernest Gjoka.
LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL













