Skënder Gega përmbysi fatin, por loja mbetet një problem i Partizanit
Skënder Gega erdhi në stolin e Partizanit vetëm dy ditë para ndeshjes me Laçin dhe në një kohë aq të shkurtër është e pamundur të bësh ndryshime të mëdha, madje nuk ka kohë as për të punuar gjërat elementare dhe për të studiuar kundërshtarin.

Megjithatë, Gega ia doli të fitojë betejën e parë dhe të sjellë disa të reja në skuadër, krahasuar me atë që bënte paraardhësi i tij, Arbër Abilaliaj.
FORMACIONI – Gega iu kthye edhe një herë formacionit me katër qendërmbrojtës në formacion, duke aktivizuar Domgjonin dhe Janjevën në krahë. Në mesfushë, ai nuk bëri surpriza dhe vendosi të njëjtët emra, ndikuar edhe nga alternativat e pakta. Në sulm ra në sy aktivizimi nga minuta e parë e Eleke. Ky i fundit nuk është ende në formën e duhur, por tropojani i dha si detyrë të mos ndihmojë mbrapa, çka rezultoi edhe lëvizje duhur. Eleke qëndroi vetëm në sulm, ku nuk e kurseu presingun dhe në këtë formë erdhi edhe goli.
FATI – Në ndeshjet e fundit, Partizani e ka vuajtur jo pak mungesën e fatit, duke nisur nga golat e pësuar për gabime trashanike të mbrojtësve e deri te penalltia e humbur e Domgjonit në derbi. Gega, me ardhjen e tij, duket se ka “shkelmuar” fatin e keq dhe e ka kthyer në favor, pasi fitorja me Laçin, kishte dozë të madhe të fatit.
LOJA – Ndeshja nisi mirë për të kuqtë, por, me kalimin e kohës, u zbeh dhe këtu duhet të përmirësohet me të patjetër edhe ekipi i kuq. Me atë lojë që ekipi bëri kundër Laçit, është shumë e vështirë të përballojë nivelin e Egnatias, për më tepër gjatë tri ndeshjeve në harkun e dy javëve.
PANORAMASPORT.AL













