Skaneri lë Uilsherin tri javë jashtë, rrezikon edhe Anglinë
Skaneri i kaviljes së Xhek Uilsher nuk ka dhënë rezultatet që priteshin.
Mesfushori i Arsenalit, i cili mungoi në Superkupë, por pritej të ishte i gatshëm për ndeshjen e parë të “topçinjve” në Premier Ligë këtë të diel (ndaj Uest Hemit), do të mungojë edhe në javën e dytë të kampionatit, kundër Kristal Palasit. 23-vjeçari rrezikon tri javë dhe mund të humbasë edhe dy ndeshjet kualifikuese të “Francë 2016” të Anglisë, atë ndaj San Marinos më 5 shtator dhe Zvicrës 3 ditë më vonë.
Problemet me kaviljen vijojnë të jetë makthi i karrierës së anglezit. Talenti nuk e ndihmoi dot skuadrën kundër Çelsit në “Community Shield” të dielën e shkuar, pas një goditjeje që mori në kaviljen e djathtë në stërvitjen e fundit përpara takimit. Trajneri Arsen Venger deklaroi pas ndeshjes se ai nuk kishte asnjë dëmtim serioz dhe se mund të ishte i gatshëm që në ndeshjen e kësaj të diele në derbin me “çekiçët”.













