Situatë konfuze te Kastrioti, bllokohet në shtëpi nga Valbona. Largimi i radhës i trajnerit Nica, ja kush mund ta zëvendësojë
Kastrioti zhgënjeu të shtunën në stadiumin “Redi Maloku”, pasi barazoi në shifrat im 1-1 me Valbonën. Një ndeshje e dominuar nga vendasit, por tropojanët u treguan të sigurt në prapavijë duke mos lënë hapësira për vendësit, si dhe duke u bërë të rrezikshëm me kundërsulm.

Me një manovër të tillë tropojanët kaluan në avantazh me Krasniqin në minutën e 75-të, por krutanët barazuan 8 minuta më vonë me Ajazin, i cili shënoi me penallti. Takimi nisi me një anomali në kampin krutan, pasi në pankinë nuk u pa prezenca e trajnerit Stavri Nica dhe ekipi u drejtua nga zv.trajneri Shkëlzen Rustami. Edhe më herët trajneri Nica pati dhënë dorëheqjen, por drejtuesit ia mbushën mendjen që të kthehej. Me sa duket, kësaj radhe largimi i Nicës është përfundimtar, për vetë pikëpamjet dhe kritikat ndaj lojtarëve që ai i ka shprehur pas disa ndeshjeve. Edhe pse klubi nuk ka bërë asnjë njoftim zyrtar për atë që po ndodh në “kullën drejtuese”, në ambientet sportive ka nisur të lakohet edhe pasuesi i Nicës në krye të pankinës së Kastriotit.
Bëhet fjalë për Klevis Himën, i cili në të shkuarën ka drejtuar Laçin, si dhe Burrelin në sezonin e shkuar. Fillimi i javës do të sqarojë gjithçka që po ndodh në kampin krutan. Sa i përket ndeshjes, fillimi ka qenë i ekuilibruar, por iniciativa i ka takuar më shumë Kastriotit. Rastin e parë për të rrezikuar e pati Krasniqi i Valbonës në të 17-ën, por sulmuesi gabon në finalizim. Me kalimin e minutave krutanët e rrisin presionin, por mungon finalizimi, kjo edhe për meritë të tropojanëve që mbrohen mirë dhe rrezikojnë me kundërsulme. Pjesa e parë u mbyll në shifrat 0-0. Me fillimin së dytës, Kastrioti e rrit ritmin dhe trysninë, por pa mundur që të gjenin golin.
Kur të gjithë prisnin golin e vendësve, në të 75-ën, me anë të një kundërsulmi të shpejtë, Valbona kalon në avantazh me Jeton Krasniqin. Kastrioti nuk ka çfarë të humbasë më shumë dhe shton forcën sulmuese dhe në minutën e 83-të përfitojnë një penallti për ndërhyrje të gabuar në zonë dhe Spartak Ajazi nga pika e bardhë barazon shifrat në 1-1. Me këto shifra u mbyll i gjithë takimi, ku Kastrioti ka zbritur në vendin e gjashtë me 30 pikë, po aq sa Pogradeci i vendit të pestë.
KASTRIOTI – VALBONA 1-1
Golat: Ajazi 83’ (11-m)/ Krasniqi 75’
Kastrioti: Puja, Qyra, Doseh, Zuna, Berisha (Goga 66’) (Meçja 77’), Kuka, Moses, Hoxha, Arrojo, Hodo, Ajazi (Në dispozicion: Jaupllari, Xhafa, Lushaku, Burgaj, Pica, Murati, Biba). Trajner: Shkëlzen Rustami
Valbona: Hoxha, Mashi (Aluki 72’), Lamçe, Zeqiraj, Rosaj, Doçi, Tekseira, Uesli, Laval (Taka 85’), Llanaj (Vidrica 86’), Krasniqi (Në dispozicion: Balla, Lala) Trajner: Emiljano Gega
Kartonë të verdhë: Berisha 28’, Hoxha 61’, Goga 67’/ Laval 45’
Gjyqtarë: S.Bebja (Tiranë), H.Lisaku (Durrës), K.Shehu (Tiranë)
Delegat: Andi Zëre (Tiranë)
Vëzhgues: Petrit Brahja (Tiranë)
PANORAMASPORT.AL













