Situata me dëmtimet e rënda, shpresat janë te sulmuesi i Partizanit
Partizani vuan nga katër dëmtime të rën da. Albers Keko, Amos Nondi, Mateo Çipi dhe së fundmi Albion Marku. Ky i fundit e ka mbyllur sezonit dhe është goditja më e rëndë, që mund të vinte përpara vitit 2026. “Panorama Sport” iu sjell ndërkohë një pasqyrë sa u përket rikuperimeve. Shpresat më të mëdha shikohen tek Albers Keko, që po kujdeset për fazën e rikuperimit.

KEKO- Sulmuesi u operua në muajin gusht, pas dëmtimit të rëndë që pësoi në korrik. Pjesa më e vështirë për Kekon ka kaluar, ndërsa gazeta mëson se do t’i duhen edhe rreth dy muaj për t’u kthyer në fushën e blertë. Kështu Partizani mund të llogarisë shërbimet e Kekos nga muaji mars, nëse çdo gjë shkon si duhet. Për të ka qenë një periudhë mjaft e vështirë, pasi trajneri Gega i besonte në një periudhë ku nuk pati shumë peshë në skuadër. Dhe Keko bënte mjaft mirë, megjithatë tashmë mbetet për t’u parë si do të jetë rikthimi.
NONDI- Një operacion gjatë muajit gusht te Partizani ishte dhe ai i Amos Nondit. Ky i fundit u dëmtua në stadiumin “Arena e Demave”, gjatë seancave të para stërvitore. Situata me Nondin është më e paqartë. Mesfushori nga Kenia ndodhet prej disa kohësh në vendin e tij. Nondi nuk ka ngurruar të postojë edhe foto nga rrjetet sociale. Për këtë nuk dihet si ka shkuar koha e rikuperimit në Afrikë. Te Partizani flitej që do llogarisë shërbimet e një lojtari para mbrojtjes për vitin 2026, pikërisht atëherë kur të fillojë çdo gjë të ketë një pasqyrë më të qartë. Për këtë situata e lojtarit do të mësohet në vijim, nëse Nondi do të kthehet pikërisht si Keko. Kështu do të ishte si fitore, që të paktën në fillimin e muajit mars të kontribuonte me ekipin e parë.
ÇIPI- Mbrojtësi vlonjat u dëmtua në tetor. Me shumë gjasa shërbimet e tij janë humbur këtë edicion. Rasti më i mirë do të bënte që të kthehej në fundin e sezonit. Minutat për të ishin të pakta më parë. Kjo është arsyeja përse Çipi nuk llogaritet në planet për qendrën e mbrojtjes. Ndryshe nga lojtarë si Keko dhe Nondi, që në rast rikthimi do të bënin shumë punë në momentin më delikat të kampionatit.
MARKU- Dëmtimi i Markut në ndeshjen me Egnatian ishte tronditja më e madhe. Mbrojtësi i krahut të djathtë e mbylli sezonin, kur ishte një ndër lojtarët e paprekshëm të skuadrës. Kontrata e Markut ishte 1-vjeçare me opsion rinovimi dhe një tjetër. Për këtë interesante do të jetë çfarë do të vendosin palët në vazhdim. 25-vjeçari konsiderohet me mjaft potencial, dhe ishte ndër mbrojtësit e djathtë më të mirë të kampionatit.
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













