Sinan Idrizi, ultimatum ekipit për mbijetesën. Flamurtari në provën e madhe për të qëndruar në Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 21, 2026 | 18:16

Sinan Idrizi, ultimatum ekipit për mbijetesën. Flamurtari në provën e madhe për të qëndruar në Superiore

Fitorja në transfertën e vështirë përballë Egnatia ka rikthyer optimizmin në kampin e Flamurtarit. Skuadra vlonjate ka marrë një frymëmarrje të rëndësishme në një moment delikat të sezonit, duke rikthyer qetësinë në qytet, por pa e humbur fokusin te objektivi kryesor: mbijetesa në elitën e futbollit shqiptar.

flamurtari

Në Vlorë tashmë ndihet një atmosferë më pozitive, megjithatë askush nuk e konsideron misionin të përfunduar. Përballja e radhës ndaj Dinamos, që do të luhet të hënën e ardhshme, shihet si një tjetër “finale” për kuqezinjtë. Presidenti Sinan Idrizi ka qenë i qartë në mesazhin e tij: çdo ndeshje e mbetur duhet trajtuar si vendimtare. Edhe pse ka përgëzuar ekipin për suksesin e rëndësishëm në Rrogozhinë, kreu i klubit nuk është aspak i kënaqur me pozicionin aktual në renditje. Flamurtari vijon të mbajë vendin e fundit me 29 pikë, tre më pak se rivalët direktë si Bylis, Tirana dhe Vora, që ndajnë kuotën e 32 pikëve. Diferencat e vogla e bëjnë edhe më dramatike garën për mbijetesë, e cila me shumë mundësi pritet të vendoset vetëm në javën e fundit.

VLERËSIM & NDËSHKIM – Vlerësim, por edhe masa të forta. Presidenti Sinan Idrizi është i gatshëm të bëjë çdo sakrificë për të shpëtuar sezonin. Edhe pse ecuria e deritanishme ka qenë larg pritshmërive fillestare, ai pritet të vijojë të mbështesë skuadrën financiarisht, duke ofruar bonuse motivuese për arritjen e objektivit. Megjithatë, “medalja” ka edhe anën tjetër. Në rast dështimi, klubi nuk do të tolerojë. Sipas burimeve pranë skuadrës, futbollistët rrezikojnë ndëshkime të ndjeshme financiare, që mund të arrijnë deri në 30- 40% të kontratës, një masë e parashikuar në marrëveshjet ekzistuese.

NË PROVË EDHE STAFI TEKNIK – Ndryshimet në pankinë kanë sjellë një frymë të re, pas largimit të trajnerit Françekso Moriero. Aktualisht, drejtimi i ekipit i është besuar dyshes Andi Ribaj dhe Lejdi Liçaj, një zgjedhje që ka ardhur si zgjidhje “nga brenda familjes”. Të dy e njohin në detaje ambientin dhe presionin e futbollit vlonjat, duke qenë prej vitesh pjesë e klubit si lojtarë dhe pjesë e strukturave teknike. Megjithatë, edhe për ta, rezultatet mbeten matësi kryesor i suksesit. Sipas burimeve, ky është një test i qartë për vazhdimësinë e tyre në krye të skuadrës, pasi në rast dështimi, largimi i tyre në fund të sezonit mbetet një skenar i mundshëm.

MOMENTI PËR REAGIM – Në një kampionat ku çdo pikë peshon shumë, Flamurtari duhet të shfrytëzojë momentin pozitiv dhe të vazhdojë me të njëjtin ritëm. Fitorja ndaj Egnatia mund të shërbejë si kthesë, por vetëm nëse pasohet nga rezultate të tjera pozitive. Lufta për mbijetesë është më e ashpër se kurrë dhe gabimet në këtë fazë të sezonit nuk falen. Për vlonjatët, çdo ndeshje është një finale dhe çdo pikë, një hap drejt shpëtimit.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL