Shtohen alternativat te Partizani, rikthehet një titullar
Arafat Dumbia do të rikthehet në dispozicion të Partizanit për ndeshjen e kësaj mesjave ndaj Egnatias, duke përforcuar repartin e mesfushës në një moment mjaft të rëndësishëm për skuadrën. Mesfushori mungoi në sfidën e fundit ndaj Flamurtarit për shkak të pezullimit, pasi kishte plotësuar numrin e kartonëve të verdhë, duke lënë një boshllëk të ndjeshëm në mesin e fushës.

Rikthimi i tij konsiderohet një lajm pozitiv për të kuqtë, të cilët kanë vuajtur jo pak në këtë fazë të katërt, sidomos në aspektin e organizimit dhe balancës në mesfushë. Dumbia është një nga lojtarët që jep energji dhe forcë fizike në këtë repart, duke ndihmuar si në fazën mbrojtëse ashtu edhe në tranzicionin drejt sulmit. Në prag të një ndeshjeje të vështirë në transfertë ndaj Egnatias, prania e tij i jep më shumë alternativa trajnerit të përkohshëm Realf Zhivanaj, i cili do të ketë mundësi të ndërtojë një mesfushë më të plotë dhe më konkurruese.
Opsionet shtesë në këtë repart janë thelbësore, sidomos në një sfidë ku pritet një luftë e fortë për kontrollin e lojës. Dumbia pritet të sjellë stabilitet dhe intensitet, dy elementë që i kanë munguar Partizanit në ndeshjet e fundit.
Për më tepër, eksperienca e tij në këtë sezon mund të rezultojë vendimtare në një takim ku çdo detaj bën diferencën. Kështu, rikthimi i mesfushorit shihet si një plus i rëndësishëm për Partizanin, që kërkon me çdo kusht të reagojë dhe të gjejë fitoren e parë në këtë fazë të katërt të kampionatit.
PANORAMASPORT.AL













