Shtatë fitore radhazi, Egnatia thyen rekorde dhe synon… shkëputjen
Egnatia vazhdon me ecurinë perfekte dhe thyerjen e rekordeve këtë fillim vit, ku vazhdon me serinë e fitoreve radhazi.
Rrogozhinasit duket se kanë arritur kulmin dhe, me afrimet e bëra në merkaton e janarit, kanë përforcuar edhe më tej skuadrën e drejtuar nga Edlir Tetova. Fitorja në Ballsh për Kupë, ku kanë bërë një hap të rëndësishëm drejt gjysmëfinales, shihet si një ogur i mirë për t’i shkuar sërish deri në fund edhe këtij kompeticioni.
Gjithsesi, tani vëmendja e rrogozhinasve është përqendruar në kampionat, aty ku do të jenë mysafirë në “Elbasan Arena” për t’u përballur me Elbasanin, që në kahun tjetër ka nevojë imediate për pike, për të mos humbur shansin që të mbajë gjallë garën për një vend në “Final 4”.
ECURIA – Duket se Tetova ka gjetur “ilaçin” për ta bërë skuadrën të funksionojë ashtu siç duhet dhe këtë e tregon jo vetëm loja e zhvilluar, por edhe rezultatet. Ndaj Bylisit ishte fitorja e shtatë radhazi në të gjitha kompeticionet, diçka që nuk kishte ndodhur asnjëherë me rrogozhinasit në historinë e saj, të paktën mes më të mirave të futbollit shqiptar. Kjo ka bërë që të “mundë” dhe përmirësojë shifrat edhe me veten e saj vitin e kaluar, ku dihet që dominoi dhe fitoi gjithçka. Sa i përket kampionatit, janë pikërisht katër fitore radhazi, diçka që sërish nuk kishte ndodhur më parë, duke bërë të thyejnë edhe një tjetër rekord personal. Më konkretisht, më mirë sesa kaq nuk mund të bënte ekipi i Edlir Tetovës, që do të kërkojë të vazhdojë me këtë ecuri edhe këtë fundjavë me Elbasanin.
SHKËPUTJA – Pavarësisht se kanë një ecuri mbresëlënëse në javët e fundit, duke u dhënë mundësinë rrogozhinasve që të rimarrin edhe vendin e parë, sërish nuk kanë asnjë siguri, sepse Vllaznia ndjekëse është vetëm dy pikë larg. Synimi i kampionëve në vazhdim është shkëputja në krye, në mënyrë që të mos e vënë më në diskutim edhe vendin e parë. Pikërisht këtë moment të mirë dhe start pozitiv të 2025-ës, në Rrogozhinë duan ta shfrytëzojnë në maksimumin e mundshëm, ndonëse nuk do të jetë një mision i lehtë, sepse kampionati sa vjen dhe bëhet më i vështirë. Megjithatë, për momentin në klub duan t’i marrin ndeshjet me radhë dhe të mos mendojnë për më gjatë, duke tentuar të shmangin euforinë në radhët e lojtarëve.
V. MEMA-PANORAMASPORT.AL













