Shpresat dhe mbijetesa, analiza e Markut: Një sezon perfekt te Bylisi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 7, 2025 | 23:44

Shpresat dhe mbijetesa, analiza e Markut: Një sezon perfekt te Bylisi

Në Ballsh, tashmë që sezoni ka përfunduar, i gëzohen faktit që mbijetuan, por edhe pa ndeshje shtesë. Ballshiotët synojnë që në sezonin e ri të kenë një skuadër më të fortë, edhe në saje të kualiteteve dhe se boshti i ekipit është me pjesën më të madhe që mbyllën sezonin e sapo përfunduar. Lojtarët titullarë duket se nuk e harrojnë lehtë suksesin e këtij fundsezoni, ndërsa ka nga ata që kanë ambicie edhe më të mëdha në aspektin personal, por edhe me Bylisin në sezonin e ri.

hq720

Superiorja pritet që të jetë me të njëjtën skemë në sezonin e ardhshëm, ndaj edhe do të vazhdojë që të jetë e fortë dhe me rivalitet. Ndonëse janë disa ekipe që nuk e kanë historinë dhe traditën e mallakastriotëve, në Ballsh duket se do t’i bëjnë planet ndryshe për vitin që vjen dhe me “këmbë në tokë”. Në një prononcim që ka dhënë për “Panorama Sport”, ka folur një nga lojtarët me perspektivë, Aurel Marku.

Lezhjani që mbylli sezonin e dytë në Ballsh, falë aktivizimit në Superiore, fitoi edhe një vend në ekipin Shpresa U-21. “Ne ia dolëm, nuk na intereson se çfarë bëjnë rivalët tanë. Madje, unë di të them që meritonim të ishim më sipër në renditje edhe se 2-3 skuadra të tjera, sepse, kur jemi ndeshur me to, kemi treguar se kemi qenë më lartë, por edhe i kemi mundur. Bylisi ka qenë një nga ekipet që ka bërë futbollin më të bukur në Superiore.

Por kemi mundur që të fitojmë apo të marrim pikë jashtë fushe me skuadrat më të forta. Ndërsa, lidhur me të ardhmen time, dua të them që do të respektoj kontratën. Mbylla një sezon mjaft të mirë, kam luajtur si titullar dhe kam shënuar.

Pata edhe një problem dëmtimesh, por që fatmirësisht kanë kaluar. Kam bindjen se me punë do të jem më i fortë në sezonin e ardhshëm edhe me një skuadër, pse jo, që të ketë synime edhe më madhore. Fakti që fitova një vend në Shpresa, tregon se Ballshi më ka ndihmuar, ndaj edhe i jam mirënjohës tërë ambientit këtu, me në krye presidentin që na ka përkrahur shumë”, mbyll Marku.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL