Shpërndahet 100 mijë euro premio, karikohet skuadra e Kukësit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 5, 2015 | 14:23

Shpërndahet 100 mijë euro premio, karikohet skuadra e Kukësit

kukesi2Ka gjithnjë një lajm të mirë pas lajmit të keq që erdhi nga UEFA. Diçka e tillë ka ndodhur me lojtarët e Kukësit. Nëse në fillim ka pasur një hidhërim për shkak të humbjes së ndeshjes së parë në tavolinë dhe për masat e marra ndaj klubit me gjobë e ndalim të tifozëve, ka pasur një lajm të mirë që është dhënë nga vetë presidenti Gjici.

Ekipi ka marrë premion prej 100 mijë eurosh që presidenti Gjici u kishte premtuar lojtarëve nëse do të kalonin turin e dytë. Premio është shpërndarë dje për lojtarët, të cilët janë ndier mjaft të kënaqur për marrjen e shumës që u takonte.

Ndërsa për turin e tretë presidenti Gjici ka kërkuar nga ekipi kualifikim, gjë që praktikisht duket si e pamundur, por gjithsesi ekipi do ta tentojë. Por, presidenti Gjici pasi u ka kërkuar lojtarëve fitoren dhe kualifikimin, ai u ka bërë të ditur atyre se nëse ekipi do të arrijë të kalojë turin e tretë, do t’u vendosë në dispozicion një shumë të majme, por pa ua saktësuar atë në shifra. Para ndeshjes së parë, presidenti Gjici ka pohuar për gazetën se nëse kalohet turi, shuma do të jetë 200 mijë euro. Ndërsa mbas ndërprerjes së ndeshjes për shkak të goditjes së Dudës dhe dënimit nga UEFA, nuk dihet se sa do të jetë kjo shumë e saktë për shpërblimet.

Udhëtimi

Mbas vendimit të dhënë nga Komisioni i Disiplinës pranë UEFA-s, klubi i Kukësit ka marrë masa për transfertën e kthimit përballë ekipit polak që do të zhvillohet nesër në orën 21:00 në Varshavë të Polonisë. Menjëherë pas zbardhjes së vendimit nga Komisioni i Disiplinës, klubi filloi përgatitjet për ndeshjen. Pikë së pari personat përgjegjës në klub prenotuan biletat për në Varshavë. Udhëtimi është vendosur të bëhet me tranzit nga Sllovenia, nga Lubjana. Ekipi ka udhëtuar në orën 02:00 të mëngjesit nga Tirana me autobusin e ekipit drejt Rinasit. Në orën 03:00 të mëngjesit ishte programuar “check-in”- i në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas dhe në orën 04:00 ka qenë planifikuar nisja e udhëtimit drejt Lubjanës. Mbërritja në Lubjanë, sipas parashikimeve, është bërë rreth orës 06:00 të mëngjesit. Në 07:00 ekipi do të udhëtojë me një tjetër avion për në Varshavë, dhe në orën 10:00 të mëngjesit të sotëm është menduar mbërritja në Varshavë. Ekipi do të akomodohet në një prej hoteleve të kryeqytetit polak. Në orën 20:00 të dark- ës ekipi do të zhvillojë stërvitje në stadiumin “Pepsi Arena” të ekipit të Legias. Nga burime të brendshme në klub mësohet se së bashku me ekipin do të udhëtojë dhe presidenti Safet Gjici, i cili u shpreh i zhgënjyer nga vendimi që dha UEFA për ngjarjet dhe trazirat që ndodhën në ndeshjen e parë të turit të tretë ndërmjet Kukësit dhe Legias në Tiranë.