Shehu ikën fshehurazi nga ekipi i Gramozit
Largohet fshehurazi drejt Kosovës futbollisti i ardhur në fillim të këtij sezoni te kolonjarët, Ajet Shehu. Një veprim, i cili ka zëmëruar pa masë të gjithë kolonjarët, por sidomos stafin drejtues të këtij ekipi, pasi Shehu ishte dhe një nga pikat kryesore në mbrojtjen kolonjare. Edhe pse lojtari kishte një kontratë të rregullt me ekipin e Gramozit për dy sezone, ai u largua ditën e djeshme nga Erseka, duke mos vënë në dijeni asnjë nga drejtuesit e klubit kolonjar. Shehu ka ndjekur të njëjtin skenar largimi si dy futbollistët brazilianë në sezonin e kaluar. Largimi i mbrojtësit ka sjellë një pakënaqësi tepër të madhe në të gjithë opinionin futbolldashës kolonjar, pasi për zëvendësimin e tij Gramozit i duhet të presë merkaton e janarit, ndërsa përpara do të luhen dy ndeshje mjaft të rëndësishme. Shtyrja – Ekipi kolonjar sot do të udhëtonte drejt qytetit të Sarandës për takimin e javës së parafundit, por nuk mundi ta bënte një gjë të tillë, për shkak të motit tepër të rënduar me reshje bore (lartësia e saj ka qenë rreth 50 centimetra). Kjo situatë i ka detyruar drejtuesit e klubit kolonjar të njoftojnë federatën e futbollit për këtë gjendje. Më pas kolonjarët kanë marrë një përgjigje pozitive nga drejtuesit e federatës për ta shtyrë ndeshjen me një ditë.
Eni Barmashi













