Shehu: Duam suksesin e Kukësit, Gjici ka merita
Deklarata e presidentit të Kukësit, Safet Gjici, për një largim të mundshëm bën që nënkampionët e vendit të gjenden në një situatë të pazakontë në rast eliminimi nga Liga e Europës përballë Legias. Pas këtij ultimatumi është vetë Bashkia e Kukësit që më pas do të duhet të vendosë se çfarë do të ndodhë me ekipin e futbollit.
Lidhur me këtë, gazeta “Panorama Sport” ka kontaktuar me kryetarin e Bashkisë Kukës, Bashkim Shehun, i cili fillimisht nuk ka dashur të flasë rreth deklaratave të presidentit Gjici.
“Unë dua suksesin e Kukësit. Ekipi është në prag të ndeshjes së kthimit dhe shpresoj në një rezultat pozitiv”, është shprehur fillimisht Shehu. Pas insistimit të gazetës në lidhje me deklaratat e presidentit Gjici, numri një i Bashkisë Kukës është përgjigjur:
“Kontributi i Gjicit deri në këto momente është i pamohueshëm. Pavarësisht se klubi nuk ka një formë të qartë të shoqërisë aksionere, nuk mund të mohohet ajo që ka ndodhur në këto vite me skuadrën e futbollit”. Më tej, numri një i Bashkisë së Kukësit ka folur edhe në rast të një vendimi ekstrem nga presidenti Safet Gjici. Pas insistimit të gazetës, Shehu ka bërë me dije se ai pret fillimisht vendimin e presidentit Gjici për të bërë më pas lëvizjet e tij ligjore. “Nuk dua ta marr të mirëqenë, por po them që Kukësi do të jetë prioritet i imi. Do të shohim të gjithë lëvizjet e mundshme që duhen kryer, për ta kthyer në një shoqëri aksionere të mirëfilltë, me një bord dhe me strukturë të qartë. Jam i predispozuar që të bëj më të mirën për ekipin, në rast të një vendimi ekstrem nga Gjici”, ka përfunduar deklaratën e tij kryetari i Bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu.













