Shansi i fundit i Garsias, fitorja e Flamurtarit me Egnatian vendimtare

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2025 | 12:55

Shansi i fundit i Garsias, fitorja e Flamurtarit me Egnatian vendimtare

Karlos Garsia është në presion! Rezultatet dhe koha nuk janë në krahun e spanjollit. I shpëtoi “valës” së parë teksa mbijetoi pas ndeshjes me Tiranën, por me Egnatian luhet fati i tij. Klubi ka vendosur të mos ketë më tolerime. Vetëm fitorja do ta shpëtojë Garsian nga shkarkimi, i cili do të jetë i pashmangshëm nëse nuk do të arrihen tri pikët në takimin e radhës. Humbja me Vorën ka rënduar situatën në kampin kuqezi dhe ka irrituar jo pak tifozët.

GARSIA

Në kushtet kur trajneri Garsia nuk e dha vetë dorëheqjen pas Vorës, drejtuesit e kanë “falur”, duke i dhënë edhe një mundësi të fundit. Flamurtari dhe trajneri spanjoll e kanë vetë ne dorë fatin e tyre dhe duhet që të përfitojnë nga “zemërgjerësia” e Sinan Idrizit që i dha dhe një shans të fundit. Garsia i ka të gjithë kundër përfshirë edhe opinionin sportiv dhe tifozët vlonjatë.

“Panorama Sport”, mëson nga burime konfidenciale pranë klubit se humbja me Vorën nuk është pritur aspak mirë, por nuk kanë preferuar që të nxitojnë pavarësisht se ky fakt nuk është pritur mirë nga tifozët. Zhvillimet do të ndodhin në ndeshjen me Egnatian që me shumë mundësi do të luhet në Vlorë. E diela parashikohet si festë pasi do të inaugurohet edhe stadiumi i ri. Ultimatumi i vetëm dhe padiskutueshëm është fitorja për kuqezinjtë. Në rast të kundërt nuk do të ketë më histori, trajneri Karlos Garsia do të shkarkohet menjëherë. Bashkë me spanjollin pritet që të largohen edhe ndihmësit e tij.

SPANJOLLI QË NUK PO NDEZ – Karlos Garsia është trajneri i nëntë i huaj në historinë e Flamurtarit. Edhe pse erdhi ne bujë të madhe, duket se ka dalë jashtë pritshmërive. Deri më tani nuk ka lënë aspak shije pozitive edhe pse mendohej që të sillte eksperiencën e shkollës spanjolle.

Megjithatë ai e di se kush është Flamurtari dhe historia e tij. E shpreh vetë që futet në fushë për të fituar por që deri më tani ka dy humbje dhe dy barazime. “Ne futemi në çdo ndeshje për të fituar. E rëndësishme është që ekipi duhet të japë maksimumin. Nëse ekipi kundërshtar do të jetë pak më mirë, ne gjithmonë do të japim maksimumin. Kjo është e rëndësishme. Filozofia jonë është që ne gjithmonë të fitojmë. Ne jemi Flamurtari”, deklaroi Garsia para Vorës.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL