Sfidë delikate për Bylisin, Marku vë “veton”: Me tifozë fitojmë
Ballshiotët po i japin dorën e fundit përgatitjeve për sfidën me Teutën, që do të luhet nesër në orën 13:30 në “Adush Muçaj”. Trajneri Mirel Josa dhe stafi i tij ende nuk kanë vendosur se cilët lojtarë do të hedhin në fushë, pasi gjatë kësaj jave ka pasur shumë lëvizje, si para sfidës me të kuqtë, gjë që u pa edhe në ndeshjen zyrtare, ashtu edhe në seancat prag-Teuta.

Megjithatë, një gjë është e sigurt: objektivi i presidentit për skuadrën është patjetër marrja e 3 pikëve, sidomos sepse ndeshja luhet para tifozëve ballshiotë. Pas disfatës me të kuqtë në mesjavë, të dielën ballshiotët rikthehen në shtëpi, ku do të kërkojnë pikët e plota, të cilat i morën 5 javë më parë ndaj Tiranës.
Në një prononcim për “Panorama Sport”, Aurel Marku, një nga lojtarët më të stabilizuar dhe që po bën mirë këtë sezon me Bylisin, ai zbuloi situatën.
“Luajmë një ndeshje në fushën tonë, e cila ka rëndësi të madhe për ne, ndaj na duhen 3 pikët. Vijmë nga një ecuri jo e mirë në javët e fundit, por kam besim se në duelin e radhës, përveçse do të japim maksimumin, do të arrijmë të marrim edhe 3 pikët, pasi janë mëse të nevojshme për pozitat ku jemi në tabelën e renditjes.
Ndeshjet janë delikate dhe kjo është faza kur duhet të grumbullojmë sa më shumë pikë dhe të jemi të konsoliduar javë pas jave, sepse rivalët janë shtrënguar në ndeshjet e fundit. Përballjet nuk ngjajnë njëra-tjetrës dhe këtë e tregoi edhe përballja me Tiranën, por të gjitha ekipet duhen vlerësuar.
Dua të theksoj se në shtëpinë tonë duhet të marrim pikët maksimale me çdo ekip, edhe pse nuk do të jetë e lehtë. Teuta është një nga skuadrat që kërkon kreun e elitës, ndaj duhet të jemi vigjilentë nga sekonda e parë deri në fund. Jemi në kulmin e garës dhe rikthehemi në shtëpi pas disfatës jo të merituar ndaj Partizanit, ndaj duhet të futemi në fushë me besim dhe optimizëm për marrjen e 3 pikëve. Duhet të besojmë dhe të guxojmë ndaj çdo ekipi, në çdo fushë. Si kapiten, bëj thirrje edhe tifozëve që të na mbështesin sepse kemi nevojë për ta më shumë se kurrë”, tha ai.
NDRYSHIME NË FORMACION – Ballshiotët do të përballen me Teutën, ndërsa trajneri Mirel Josa dhe stafi i tij synojnë të hedhin në fushë më të mirët. Në seancat stërvitore nuk kanë lënë “gur e kusur” pa lëvizur, që skuadra të funksionojë dhe të shkojë te 3 pikët në këtë duel shtëpie. Mallakastriotët do të bëjnë ndryshime në repartet, ndërsa formacioni pritet të ketë theks sulmues. Lëvizje priten edhe në mbrojtje, dhe nga ajo që është parë në seancat e fundit.
ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL













